Dëshmitari radhës në Speciale është familjar i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur në Drenoc

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasnqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën e Speciale në Hagë, është duke dhënë dëshmi dëshmitari i radhës i Prokuorisë me kodin W04489, i cili e ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Në një përmbledhje të shkurtër, para se të mbyllej seanca, për këtë dëshmitar u tha se është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur në Drenoc.

Ai do të dëshmojë lidhur me këtë viktimë, herën e fundit që e kanë parë dhe përpjekjet që ka bërë familja për ta gjetur të njëjtin.

Në seancën përgatitore, ky dëshmitar kishte bërë ndryshime në intervistimin e tij, për të cilën nuk pati kundërshtime nga askush në gjykatë, dhe ky ndryshim u mor të trajtohet në shkresat e lëndës.

Gjatë sesionit të paradites, ka përfunduar dëshminë edhe dëshmitari W01493, dëshmia e të cilit ishte e mbyllur për publikun.

Krejt çka dihej për këtë dëshmitar është se i njëjti ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit dhe ka informacione mbi strukturën e UÇK-së dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

I akuzuari Jakup Krasniqi në seancën e së mërkurës është prezent në gjykim përmes video-lidhjes, kurse të tjerët janë në sallë të gjykimit.

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27 shkurt 2023.

Aktakuza fillestare kundër tyre u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është i akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Krimet e pretenduara, sipas Prokurorisë, janë kryer në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri  në shtator të vitit 1999. Lidhur me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre para Gjykatës.

Gjykimi ndaj tyre kishte filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë rast janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Të akuzuarit ishin vendosur në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020 dhe vazhdojnë të jenë akoma nën këtë masë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.