Dëshmitari i tetë: Vetëm policia ushtarake bënte roje në qendrën e ndalimit në Bajgorë

 

Edhe anëtarët e trupit gjykues kanë vazhduar me pyetjet ndaj dëshmitarët të tetë, të identifikuar me kodin 4323.

Ky sesion pyetjesh u nis me seancë të mbyllur për publikun duke kaluar më pastaj në seancë publike.

Gjyqtari Mettraux pyeti dëshmitarin nëse kishte informacione për dy personat që ishin ndaluar në qendrën e ndalimit në Bajgorë.

Dëshmitari deklaroi se këta dy persona ishin në dhomën tjetër dhe se nuk e kishte mësuar asnjëherë se si quheshin.

Gjyqtari e pyeti dëshmitarin se “Kush ishin personat që bënin roje, përveç policisë ushtarake, a kishte individ të tjerë?”.

Dëshmitari theksoi se “Ka qenë vetëm policia ushtarake, asnjë tjetër”.

Gjyqtari Mettraux, e pyeti dëshmitarin, i cili kishte marrë pjesë në arrestimin e një individi, i identifikuar dhe i prezentuar si personi 10 para gjykatës dhe dëshmitarit se a kishte dëgjuar ndonjë bisedë përgjatë dhe pas arrestit.

Dëshmitari lidhur me këtë tha se “Nuk kam qenë brenda shtëpisë në kohën e arrestimit, as masi o dalë s’kom dëgju sen’’.

Ndër tjerash dëshmitari u pyet edhe nëse të arrestuarin e kishin lidhur me pranga ose ndonjë formë tjetër, i cili theksoi se “Nuk më kujtohet, e di që gjatë rrugës të cilës e kemi bo, nuk ka qenë i lidhur, në shpi sdi a o lidh a jo’’.

Gjyqtari Gaynor e pyeti dëshmitarin se si e kishin zhvilluar teknologjinë e komunikimit në atë periudhë ku i njëjti kishte qenë anëtar i brigadës. Sipas dëshmitarit “Personi 3 e ka zhvillu teknologjinë e komunikimit’’.

“Ky sistem komunikimi ka funksionuar deri në përfundim të luftës’’.

Dëshmitari thekson se ai asnjëherë nuk ka komunikuar me anëtarët e policisë ushtarake.

Ndërsa për personat dhe çdo çështje rreth tyre, në qendrën e ndalimit në Bajgorë, dëshmitari deklaroi se me këtë merrej vetëm Policia Ushtarake.

Në seancën e të mërkurës, pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të tetë të ZPS-së, dëshminë e ka filluar, dëshmitari i nëntë, i identifikuar me kodin 01602.

Seanca po vazhdon e mbyllur për publikun me kërkesë të prokurorit të specializuar, James Pace.

Mbrojtja e Veselit ka vazhduar pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK