Dërgimi i emrit të Blerim Isufajt për të dytën herë për dekretim, deklarohen nga zyra e BE-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar për të dytën herë emrin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë në një përgjigje për KALLXO.com ka komentuar këto zhvillime.

Sipas tyre, përzgjedhja e Kryeprokurorit duhet të bazohet në merita.

“Ekziston një nevojë kritike për një proces përzgjedhjeje të bazuar në merita, transparent dhe të drejtë për pozicionet brenda sistemit të drejtësisë. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që të mbështesin me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në zgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”- thuhet në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com dje raporti nga burime brenda Këshillit se është bërë një analizim i raportit të presidencës e cila nuk e dekretoi Isufajn për kryeprokuror më 17 tetor.

“Po, nuk ka pas intervista, prapë është propozuar edhe njëherë, nuk ka pas asnjë proces që është zhvillu. Këshilli ka pasur një takim dhe është propozu sërish emri. Lidhur me ato pretendimet e presidencës janë nxjerrë disa konkluzione nga Këshilli Prokurorial dhe është propozuar prapë emri për kryeprokuror”- tha ky burim për KALLXO.com.

Ndërsa nga Presidenca kanë thënë se e kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë” – ka thënë Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Osmani për KALLXO.com.

Ditë më parë, Presidentja Vjosa Osmani në një konference për media, bëri të ditur se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për “shkak të shkeljeve masive”, duke shkuar më tej se kishte pranuar edhe kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Sipas presidentes së vendit Vjosa Osmani, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta.

KPK sërish dorëzon në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit