KPK sërish dorëzon në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar për të dytën herë emrin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Këshillit se është bërë një analizim i raportit të presidencës e cila nuk e dekretoi Isufajn për kryeprokuror më 17 tetor. KALLXO merr vesh që KPK me vota unanime sërish ka vendosur që emrin e Blerim Isufajt ta dërgojë për dekretim te Presidentja.

“Po, nuk ka pas intervista, prapë është propozuar edhe njëherë, nuk ka pas asnjë proces që është zhvillu. Këshilli ka pasur një takim dhe është propozu sërish emri. Lidhur me ato pretendimet e presidencës janë nxjerrë disa konkluzione nga Këshilli Prokurorial dhe është propozuar prapë emri për kryeprokuror”- tha ky burim për KALLXO.com.

Ndërsa nga Presidenca kanë thënë se e kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë” – ka thënë Bekim Kupina, këshilltari i presidentes Osmani për KALLXO.com.

Ditë më parë, Presidentja Vjosa Osmani në një konference për media, bëri të ditur se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për “shkak të shkeljeve masive”, duke shkuar më tej se kishte pranuar edhe kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Sipas presidentes së vendit Vjosa Osmani, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta.

Lidhur me këto shkelje kishte raportuar edhe BIRN, pasi kishte monitoruar që nga fillimi këtë proces të përzgjedhjes, e lidhur me këtë analizë, ishte njoftuar edhe Presidentja mbi bazën e të cilit raport kishte konstatuar disa nga shkeljet e pretenduara.

Mungesa e transparencës dhe mungesa e një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve janë disa nga gjetjet e monitorimit në fjalë.

Mbyllja e procesit për publikun në fazën e tij finale kishte pamundësuar një proces meritor dhe kredibil.

Mos emërimin e kryeprokurorit, presidentja në njoftimin e saj të sotëm e arsyetoi lidhur me këto vërejtje e shkelje procedurale që janë konstatuar nga akterë ndërkombëtarë e vendorë.

“Me keqardhje më duhet të theksoj se këto vëretje e shkelje procedurale që janë konstatuar, kanë qenë ndër arsyet kryesore për mua si Presidente që të përmbahem nga emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit”- thuhej në njoftimin e Presidencës.

Pas dokumentacionit që ka dorëzuar KPK-ja Zyres së Presidentes lidhur me përzgjedhjen e kandidatit, dhe pas analizës së raportuesve të monitoruesve të pavarur, presidentja vlerësoi se procedurat që ka ndjekur KPK nuk përmbushnin standardet ligjore.

Të njëjtit njoftim, presidentja i’a ka bashkangjitur edhe Shtojcën për vlerësimin e saj për procedurën e KPK-së, me shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara.

Çka përmban dokumenti i Presidentes Osmani me të cilin refuzoi dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit?

Shënim: Në ora 12:11, artikulli është plotësuar me përgjigjen e Presidencës.