Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Vjosa Osmani pretendon se është kërcënuar, thotë se i erdhën nga zyrtarët i institucioneve të drejtësisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një konferencë për media ku njoftoi se nuk do ta bëjë dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, foli edhe për disa kërcënime që thotë se ajo i ka marrë nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Sipas saj, në një vend demokratik këta persona do përfundonin jashtë sistemit.

“Unë ju inkurajoj që ta lexoni dokumentin dhe e shihni se çka vërtetë është shqetësuese në vendin tonë. Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, mbajeni mend këtë, ata që mendojnë që mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit  në një vend demokratik”- është shprehur Osmani.

Osmani theksoi se shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimit të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat.

Ajo shtoi se për këtë arsye Vetingu në drejtësi është proces i domosdoshëm, pasi sipas saj, presionet janë të paligjshme.

“Për fat të keq e kemi një sistem çfarë e kemi, prandaj Vetingu është i domosdoshëm si proces. Ato janë presione të paligjshme, kur mendojnë që duke kërcënuar kreun e shtetit do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë, do të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin asnjëherë me presione të tilla, por vetëm me vlerësimet ë ligjit e kushtetutës. Unë jam tërësisht e varur nga kushtetuta dhe ligjet e vendit tim. Këtë besoj që ta kenë të qartë të gjithë ata që mendojnë se ndryshe merren vendimet”- shtoi tutje Presidentja Osmani.

Derisa, kur Osmani u pyet nëse i ka njoftuar organet e rendit për këto kërcënime, ajo u shpreh.

“Kjo do duhej të ishte procedura, në raste kur funksionin një sistem i drejtësisë. Kjo është sikur të thuash shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar” – u shpreh ajo.

Vjosa Osmani theksoi se prej kur është në politikë asnjëherë nuk ka dal publikisht të deklaroj se është e kërcënuar pa dëshmi konkrete.

“Nga viti 1999 jam në politikë, asnjëherë nuk kam dal në publik të them që jam kërcënuar apo presion nga dikush. Është hera e parë, ju mund ta konfirmoni këtë. Duhet të jeni të sigurtë që unë nuk dal dhe të flas për gjëra të tilla pa dëshmi konkrete dhe pa ardhur vërtetë ato. Atë e përmenda, jo që ka ndonjë ndikim në vendimmarrjen time, por thjesht të jetë një mesazh për institucionet që kështu nuk merren vendimet”- shtoi tutje Osmani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten e kaluar ka marrë vendim që t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me një letër urgjente për dekretimin e Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

 

Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit