Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit, për shkak të “shkeljeve masive në këtë proces”.

Këtë ajo e tha në një konferencë për media të martën.

Osmani tha se e ka njoftuar KPK-në që nuk do të dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit, për shkak të “shkeljeve në këtë proces”.

“Siç jeni në dijeni procesi është konsideruar i parregullt. Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimin të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat. Përgjegjësia ime më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë vlerat fundamentale të mos rri duarkryq.”

“Sot e kam njoftuar KPK-në, lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që mos të bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të datës 8 prill 2022”- shtoi ajo.

Osmani tha se e ka ftuar KPK-së që ta ndjekë një procedurë kushtetuese e ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, “e cila është në funksion të mbrojtjes së integritetit dhe të funksionimit kushtetues të vetë këtij institucioni sikurse edhe në funksion të rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.”

Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten e kaluar ka marrë vendim që t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me një letër urgjente për dekretimin e Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.

Kështu kishte bërë të ditur KPK-ja përmes një njoftimi për media.

“KPK-ja aprovoi kërkesën për klasifikimin e vendeve të punës dhe ndryshim-plotësimin e Planit të personelit administrativ të sistemit prokurorial për vitin 2023 dhe propozimin për dërgimin e një letre urgjente te Presidentja e vendit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- thuhet në njoftim.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli i vitit të kaluar por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, kishte thënë presidentja Osmani.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Për të garantuar transparencë të procesit, KPK garantoi monitorim nga shoqëria civile ndërsa koncept-dokumentet e kandidatëve u publikuan në ueb-faqe dhe intervistat u transmetuan në televizionin publik.

Sipas BIRN, në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Transparenca e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit “tregoi shumëçka, por nuk tregoi çështjen kryesore”, pasi procesi u mbyll për publikun dhe monitoruesit në fazën e tij finale –  në momentin kur antarët kryen vlerësimin (poentimin) e kandidatëve dhe erdhi momenti i kumtimit të rezultateve.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit