Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Deputeti ukrainas në shqip: Kosova është Europë

Përfaqësuesi i Ukrainës në Këshillin e Europës, Oleksiy Goncharenko, me zë të lartë e i revoltuar tha midis Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që Kosova është Europë.

“Kosova është Europë” – tha ai në shqip me zë revoltues.

Goncharenko, i cili edhe kishte nisur njër rezolutë në Ukrainë për njohjen e Kosovës, tha që Kosova e meriton 100 për qind të jetë pjesë e Këshillit të Europës.

Në fund të seancës së Asamblesë pritet të hidhet në votim për miratim raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila në raportin e saj rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u anëtarësuar në KE.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.