Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti arsyeton propozimin e tij që gurthyesve t'u hiqet taksa

Në Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike është vendosur një nen i cili sjell shumë përfitime për gurthyesit dhe kompanive që merren me aktivitete minerare, pasi që për pesë muaj të vitit 2021 është vendosur që të hiqet taksa e pagesës së rentës minerare.

Propozuesi i amendametit, biznesmeni dhe deputeti nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, i ftuar në emisionin e KALLXO.com, ka thënë se qëndron prapa propozimit të tij.

“Po, është fakt që e kam propozuar dhe qëndroj prapa propozimit tim. Renta minerare është diku rreth 30 milionë euro në vit. Renta metalore është diku 2 milionë e 500 mijë euro, jometalore janë dikur 3 milionë e gjysmë, pjesën më të madhe është pjesa e energjetikës e cila merr pjesë me 24 milionë euro”, thotë Abrashi.

Abrashi ka thënë se nëse e përkthejmë propozimin e amendamentit “nëse kemi thënë se hiqet renta nga data 1 janar deri më 31 maj, nëse e përpjestojmë shumën është diku 40 % e vitit kalendarik, me automatizëm e kuptojmë që gurthyesit janë diku në vlerë 1 milion e gjysmë euro për katër mujor”.

Sipas Abrashit, 50% të produkteve që nxjerrin gurthyesit nuk kanë të bëjnë me asfalt, por investojnë në ndërtimtari të lartë.

“Nëse shihni analizën e bërë nga Oda Ekonomike Amerikane thotë që pritet që rënja më e lartë ekonomike pritet të jetë në sektorin e ndërtimtarisë që është kontribuesi më i madh në buxhetin e Kosovës”, thotë Abrashi.