Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Boletini: Shteti ka blerë zhavorr të nxjerrë ilegalisht në vlerë 54 milionë euro

Besnik Boletini, hulumtues në organizatën “Çohu”, në emisionin e KALLXO.com ka folur rreth rentës minerare për gurthyesit në Kosovë.

Sipas Boletinit, bizneset e gurthyesve në vend janë të fuqishme për shkak të lidhjes se tyre me njerëzit në politikë.

“Janë të fuqishme sepse janë të lidhura me politikën. Bizneset e gurthyesve janë një nga bizneset më të fuqishme që operojnë në Kosovë, dhe edhe për mua ka qenë pak e çuditshme që t’u largohet taksa, dhe ende më e çuditshme është që kjo është vetëm për 5 muaj”, ka thënë Boletini.

Sipas tij, kompanitë që kanë licenca do të fillojnë të përgatiten dhe përgjatë 5 muajve do të bëjnë gërryerje të madhe në vendet ku operojnë në mënyrë që të mos paguajnë atë rentë, dhe këtë gërryerje sipas tij kompanitë do ta përdorin për ndërtime të larta dhe asfaltim.

Boletini ka folur edhe rreth dëmeve që kanë bërë gurthyesit në terren.

“Një hulumtim që e kemi bërë në vitin 2015, i kemi identifikuar tetë komapni që janë zënë duke nxjerrë ilegalisht zhavorr dhe këto kompani i kanë marrë 48 tenderë. Këto kompani kanë nxjerrë ilegalisht zhavorr dhe të njëjtin ia kanë shitur shtetit, vlera është 54 milionë euro”, tregon Boletini.

Në Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike është vendosur një nen i cili sjell shumë përfitime për gurthyesit dhe kompanitë që merren me aktivitete minerare, pasi që për pesë muaj të vitit 2021 është vendosur që të hiqet pagesa e rentës minerare.