Deputetët serbë në seancën e Kuvendit, Foto: KALLXO.com

Deputetët serbë kthehen në Kuvend pas 5 muajve, nënshkruhen për pjesëmarrje në seancë

Deputetët e Listës Serbe dhe një i partisë GI-SPO, janë rikthyer sot në Kuvendin e Kosovës pas pesë muajve mungesë.

Sot ata janë nënshkruar për pjesëmarrje në seancë, hera e dytë kjo që nga betimi si deputetë në nëntor të vitit 2022.

Pas betimit, deputetët serbë kanë marrë pjesë në një seancë më datën 6 prill 2023, pikërisht në kohën kur po i afrohej gjashtë mujorit të mospjesëmarrjes në Kuvend. Ndërkaq pak minuta më vonë ishin larguar nga salla e Kuvendit.

Sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të vitit të kaluar.

Në korrik të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht ashtu si deputetëve të tjerë.

Sipas të dhënave nga Kuvendi i Kosovës, 10 deputetët, për këta muaj kanë marrë mbi 12 mijë euro pagë totale secili.

Ndonëse janë shfaqur vetëm një herë që nga betimi, pagat e tyre në total i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës, 125,460 euro.

125 mijë euro paga për 10 deputetët serbë që shkuan veç një ditë në Kuvend

Dhjetë deputetët paraprak të Listës Serbe (LS) kishin zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës, në fillim të nëntorit të 2022-tës.

Deputetët që patë dorëzuardorëheqjen ishin: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Kjo dorëheqje erdhi pas një takimi në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, pati njoftuar për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.