Blerta Deliu-Kodra n senc

Deliu- Kodra flet për mospjesëmarrjen e Njësisë Speciale Intervenuese në ‘Darkën e Lamës’

“Darka e Lamës”, e shtruar nga presidentja Vjosa Osmani mbrëmë në kampin e Policisë “Enver Zymeri’, ka nxitur reagimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra tha se njësia speciale intervenuese e njohur si FIT ka refuzuar të marrë pjesë në këtë darkë për shkak të pakënaqësive.

Sipas saj, kjo njësi po e shqyrton largimin e përkohshëm nga Policia e Kosovës.

“Në kohën kur ne po flasim, Njësia Speciale Intervenuese e njohur si ‘FIT’ është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit të përkohshëm nga Policia për shkak të pakënaqësive me Qeverinë në raport me kërkesat që i kanë pasur e nuk janë plotësuar. E njëjta njësi e refuzoi ftesën e presidentes Osmani për Darkën e Lamës”- tha Deliu- Kodra.

Sipas saj, “Darka e Lamës”, ka shpërfaqur mentalitetin e pushtetit, që sipas saj “ka mburrje, fotografi, urdhëru, darka e lëmoshë por jo vullnet politik për ta ndihmuar Policinë”.

Ajo, po ashtu ka kritikuar mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën ku po diskutohet për Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Nëse do ta kisha sot zonjën Mimoza Kusari- Lila do i bëja pyetje të drejtpërdrejt. Është mirë që shefja e grupit të na kallxoj a është koordinuar me Radoiëiqin të mos marrë pjesë në ketë seancë. Unë vetëm kështu mundem me kuptu mospjesëmarrjen e pozitën në seancë për Policinë e Kosovës”- tha ajo.

‘Darkën e Lamës’, e ka përmendur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“Më shumë sesa ‘Darka e Lamës’, Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë nevojë për ndarje të mjeteve financiare, për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, dhe mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor”- tha ajo.

Disa nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë pjesë e aksionit në Banjskë të Zveçanit nuk kanë pranuar të ulen në tavolinë për “Darkën e Lamës”, të shtruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Elitarët e Policisë, sipas burimeve të KALLXO.com, nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste për kushtet e punës. “Nuk kemi qenë pjesë, kemi kërkesa të cilat i kemi adresuar” – ka thënë njëri nga pjesëtarët e Njësisë i intervistuar nga KALLXO.com.

Dilemat mbi raportimet se heronjtë e Banjskës nuk e nderuan “Darkën e Lamës” të shtruar nga Vjosa Osmani

KALLXO.com merr vesh edhe se ani pse darka u shtrua për nder të punës së Policisë së Kosovës, Presidentja Osmani nuk ftoi atë që përfaqëson kërkesat e policëve, kryearin e Sindikatës së Policisë, Imer Zeqirin.

Zeqiri nuk e di arsyen se pse nuk u ftua, por tha se ai ishte në Prishtinë dhe se meqënëse nuk ka qenë në “Darkën e Lamës” në ish-kampin Blevedere, nuk ka informacion se kush e për cka e bojkotoi këtë aktivitet të organizuar nga Presidentja Osmani.

“Unë nuk jam ftu, nuk kam marrë asnjë ftesë nga organizatorët për të marrë pjesë në këtë darkë. Nuk i di arsyet pse, unë jam Kryetar i Sindikatës së Policëve të Kosovës, mbroj kërkesat dhe interesat e policëve”- tha Zeqiri.

Ai foli pak edhe për kushtet e policëve por shtoi se nuk ka ndonjë informacion se FIT bojkotoi këtë darkë.