Ilustrim - Parakalimi i Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

Dilemat mbi raportimet se heronjtë e Banjskës nuk e nderuan "Darkën e Lamës" të shtruar nga Vjosa Osmani

Disa nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë pjesë e aksionit në Banjskë të Zveçanit nuk kanë pranuar të ulen në tavolinë për “Darkën e Lamës”, të shtruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Elitarët e Policisë, sipas burimeve të KALLXO.com, nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste për kushtet e punës. “Nuk kemi qenë pjesë, kemi kërkesa të cilat i kemi adresuar” – ka thënë njëri nga pjesëtarët e Njësisë i intervistuar nga KALLXO.com.

Për të marrë një qëndrim në lidhje me bojkotin e Njësisë të cilën e udhëheq ai, KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin Mentor Shabani.

“Nuk mund të mohoj, as pohoj këtë çështje”- tha shkurt Shabani përmes telefonit për KALLXO.com.

Ai ka thënë që konfirmimet duhet të merren nga Zyra për Media e Policisë.

Kur KALLXO.com i ka kontaktuar Zyrën për Media, ata nuk kanë pasur qëndrim për këtë çështje.

Majori Baki Kelani është pyetur për këtë informacion disa orë pasi ai është raportuar në disa faqe të Facebook por ai nuk ka pasur përgjigje nëse informacioni është i vërtetë ose i rremë.

“Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Këtë e organizon presidentja, çka do që ke drejtohu te ata. Nuk kam informacion po të them shumë thjesht. A kanë marrë pjesë Njësia Speciale apo jo pyetni organizatorin. Nëse kemi ndonjë konfirmim ne ta japim. Nëse marr raport nga ta të njoftoj. Nuk mund ta thërras sepse flas me raporte zyrtare me të (drejtorin e Njësisë Intervenuese)”- tha Kelani për KALLXO.com gjatë një bisede përmes telefonit.

Në fotografitë e publikuara nga presidentja në Facebook, Kallxo.com ka konfirmuar se nuk janë njësitë të cilat në paradat e Policisë shfaqen me maska e të cilat njihen si FIT.

Deri më tani në të gjitha postimet publike kjo njësi është shfaqur e maskuar.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, ka thënë se informacioni se Njësia e ka bojkotuar ngjarjen është i pavërtetë.

“Nuk është e vërtetë. Aktiviteti i është dediku policëve të rënë në detyrë. Prezentë kanë qenë familjet e të gjithë policëve të rënë në detyrë dhe qindra policë nga disa njësite”- tha Kupina.

Ai shtoi se vetë presidentja Osmani darkoi me shumicën e tyre.

“Presidentja ka darku me gjysmën e tyre kurse pjesa tjetër e cila ka qenë në ndërrim u është dërgu ushqimi në vendin e punës. Unë isha vet prezent aty. Nëse kanë mendu se NJSI duhet të dalë me bë sfilatë, gabim”- shtoi Kupina.

Në fotografitë që presidentja Osmani ka publikuar në profilin e saj në Facebook shihet se në mesin e personave që morën pjesë në këtë darkë të shtruar nga ajo ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kallxo.com ka kërkuar sqarime nga ministri për të verifikuar nëse lajmi për bojkotin e specialëve është i vërtetë ose jo mirëpo Sveçla nuk ka dhënë përgjigje.

Fotografi të tjera që janë publikuar nga presidentja tregojnë edhe pjesëtarë të njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës, siç janë ata të Njësisë Speciale Operative, e policë të rendit por edhe fotografi në të cilat shihen edhe familjarë të disa prej ish-policëve që kanë rënë në detyrë.

Të dhënat tregojnë se njësia e njohur si FIT ishte iniciatore e grevave të mëdha për kushte të punës në Policinë e Kosovës kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.

Nisma e tyre atëkohë kishte obliguar Qeverinë të paguante shtesat e rrezikshmërisë për Policinë.