Dekorimi i gjeneralit Clark | Foto: Facebook

Clark në Hagë: Nuk kishim informacione për komandën e UÇK-së, ishin grupe lokale

17:14 – Clark: Nuk kam parë dokumente të UÇK-së, nuk kisha dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar marrja në pyetje e gjeneralit amerikan Wesley Clark, ku prokuroria ka shfaqur “Komunikatën 36”, dokument që i atribuon UÇK-së një sulm ndaj 12 stacioneve të forcave serbe.

Clark ka deklaruar se nuk ka pasur qasje në dokumente të UÇK-së dhe se nuk mban mend të ketë parë ndonjë raport që do ta konfirmonte një operacion të tillë të koordinuar.

Clark sqaroi se, sipas informacioneve të kohës, nuk kishte njohuri për atë nëse sulmi i përmendur ishte aksion i organizuar.

“Nuk e di nëse ka qenë pritë e sinkronizuar apo jo, mund të jetë raportuar si incident ose diçka e tillë. Ndoshta ka pasur edhe granatahedhës, po ta dinim do të ishte raportuar, por nuk më kujtohet të kem parë ndonjë njoftim apo informacion lidhur më të.” – u shpreh gjenerali amerikan.

Prokurori Matt Halling e pyeti ish-komandantin e NATO-s nëse kishte dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së që do të merrte përsipër veprime të tilla.

Clark u përgjigj shkurt: “Jo, nuk kam dëgjuar.”

Duke vijuar dëshminë, Clark foli edhe për perceptimin që NATO kishte për burimet e UÇK-së dhe lidhjet e saj me shqiptarët jashtë vendit, duke përmendur edhe rolin e Hashim Thaçit si komunikues me faktorët ndërkombëtarë.

“Unë kam pasur përshtypjen se ka pasur njerëz jashtë Kosovës që donin të çliroheshin nga shtypja serbe dhe Thaçi ishte person që erdhi në Kosovë nga Zvicra dhe ne kemi menduar që ai ishte kontakti. Tani hollësitë se si ka funksionuar nuk i kam, por nuk shoh diçka në këtë.” – theksoi Clark.

Clark tha se sipas vlerësimit të tij të kohës, rezistenca në Kosovë nuk ishte e izoluar dhe se në NATO ishte e qartë se pas UÇK-së qëndronte një realitet më i gjerë shoqëror.

“Nuk kemi menduar asnjëherë se populli i Kosovës nuk kishte lidhje me jashtë. Nuk kishim një mendim që ata ishin thjeshtë njerëz bujq të nivelit të mesëm, që ata herë pas here qëllonin ndaj një polici. E kemi ditur se kishte diçka më shumë prapa kësaj. Fakti që dikush shkruante gjëra të tilla si kjo që pamë këtu, nuk do të thotë detyrimisht se ata kishin një komandë të efektshme.” – tha Clark.

16:25 – Clark për aktet e dhunës: Nuk mendoj që Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë bërë akte të tilla

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Wesley Clark ka theksuar se, sipas të dhënave që ka pasur në atë kohë, UÇK-ja nuk ka funksionuar me mekanizma formalë komande dhe se Hashim Thaçi nuk ka ushtruar kontroll mbi aktet e dhunës të ndodhura pas luftës.

“Unë nuk mendoj që Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë bërë akte të tilla. Së pari nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja, edhe po të ishte kështu ajo ishte organizuar nga individë të caktuar” – tha Clark gjatë dëshmisë së tij.

Clark ka treguar se komunikimi me strukturat në terren ishte i kufizuar dhe se informacionet që kishin NATO dhe KFOR nuk dëshmonin për një komandë të centralizuar.

“Unë kam folur me Mike Jackson për këtë dhe sigurisht ai ka folur me komandantët e tyre dhe kanë qenë në kontakt me persona të UÇK-së që lidheshin me zona të caktuara përgjegjësie. Unë nuk besoj se ka qenë UÇK-ja, por edhe po të ketë qenë UÇK-ja, nuk kishte askush kontroll, nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë çfarë ndodhte në terren” – tha tutje Clark.

Ai tha se veprimet në terren nuk funksiononin sipas modelit klasik ushtarak, por si një rezistencë spontane.

“Nuk funksiononte; që ju jepnit urdhër dhe pastaj prisnit që njerëzit të zbatonin atë. Ishte më tepër një rezistencë. Njerëzit rezistonin sepse donin të shpëtonin jetën e tyre” – tha ai.

Clark theksoi se, po të kishte informacione se aktet e dhunës ishin të organizuara nga UÇK-ja, NATO do të kishte vepruar menjëherë për t’i ndalur ato.

“Me besoni mua, nëse do të kishim informacione e këto ishin akte të organizuara nga UÇK-ja, do të punonim kundër këtyre veprimeve, por këtë informacion nuk e kishim” – tha mes tjerash në dëshminë e tij, gjenerali Clark.

Në vijim, ai shtoi se UÇK-ja ishte e vetëdijshme se përfundimi i luftës dhe tërheqja e forcave serbe ishin rezultat i ndërhyrjes së NATO-s.

“UÇK-ja e kuptonte qartë se nuk do merrnin atë që morën, që ishte largimi i forcave serbe po të mos ishte për NATO-n. Ishte rast shumë i qartë se motivi për ta ishte të dëgjonin çfarë thoshte KFOR-i dhe të bënin atë se çka u thoshte KFOR-i.”

Me këtë përgjigje, kanë përfunduar edhe pyetjet e avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Misetiq.

15:02 – Clark tregon në Hagë takimet me Hashim Thaçin gjatë Rambujesë: Ai nuk ishte komandant ushtarak

Në vazhdimin e gjykimit në Hagë, ish-komandanti i forcave të NATO-s gjatë bombardimeve të vitit 1999, Wesley Clark, ka rrëfyer para trupit gjykues disa prej episodeve të kontakteve të tij me delegacionin shqiptar në Rambuje dhe me Hashim Thaçin.

Clark tha se ai ishte ftuar të merrte pjesë në bisedimet e Rambujesë me qëllim që të ndihmonte në bindjen e palës serbe që të pranonte marrëveshjen.

“Me lejoni të them se mua mu kërkua të shkoja në bisedat e Rambujesë, sepse nëse do të shkoja, do t’i bindja serbët që të pranonin marrëveshjen.” – tha Clark.

Ai sqaroi se dokumenti i Rambujesë në thelb ishte i njëjtë me kornizën që ishte përdorur në marrëveshjen e Dejtonit, duke synuar vetëm ndaljen e dhunës dhe kthimin e paqes.

“Pra marrëveshja që nënshkruam në Rambuje, ishte e njëjta kishte te njëjtën logjike me marrëveshjen qe ne kishim hartuar në Bosnjë. Me fjalë të tjera ishte thirrje e NATO-s dhe OKB që të ndalohej dhuna. Nuk kishte plan tjetër me të elaboruar, por vetëm të kthej paqja.”

Clark tha se delegacionit shqiptar u kishte prezantuar planin e NATO-s, duke theksuar se bëhej fjalë për një plan serioz.

“Takova delegacionin shqiptarëve dhe ju tregova për planin që kishte NATO-ja dhe ju thash që kishim përnjëmend planin, jo për të larë gojën. Ndërkohë pas disa ditësh, delegacioni shqiptar e pranoj propozimin, por serbët jo” – tha ai.

Ish-komandanti i NATO-s tha se me Thaçin ishte takuar disa herë, përfshirë një takim para fillimit të bombardimeve. Ai e përshkroi Thaçin si një figurë me autoritet brenda delegacionit shqiptar, por jo si komandant ushtarak.

“U takova me Thaçin njëherë të dytë përpara fillimit të bombardimeve, nëse nuk e kam gabim. Ai ishte një prej personave atje, një prej personave me autoritet, ishte më i riu, më bindësi. Ishte personi që ishte veshur më mirë, flokët në mënyrë më të përshtatshme dhe sa kuptova unë, ai jetonte në Zvicër, fliste gjermanisht, më pak anglisht. Ai nuk ishte komandant ushtarak.”

Clark kujtoi edhe takimin e tretë me Thaçin, kur NATO kërkonte koordinim me forcat e UÇK-së në terren për të shmangur objektivat civile dhe për të ndjekur objektiva ushtarake.

Sipas tij, në këtë pikë nuk kishte marrë përgjigje konkrete.

“Kur u takova më të herën e tretë unë kërkova ndihmë, por nuk mora ndihmë sepse nuk e kishte idenë çfarë po ndodhte. Problemi që kisha unë si komandant, ishte se ne nuk kishim forcë në terren, mbështeteshim vetëm në fushatat ajrore. Donim që të mos sulmonim objektivat civile, por donim të ndërhynim me forcat ushtarake në terren. Pyetja që i bëra ishte: ku janë ata, ku jeni ju pra çka duhet të sulmojë unë, ndërkohë përgjigja që mora prej tij ishte asgjë.”

14:45 – Clark në Hagë: Nuk kishim informacione për komandën e UÇK-së, ishin grupe lokale

Gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka folur mbi informacionet që Aleanca Euroatlantike kishte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998.

Clark tha se në atë kohë NATO kishte njohuri shumë të kufizuara për strukturën, organizimin dhe veprimtarinë e UÇK-së.

Në dëshmi, ai theksoi se informacionet zyrtare ishin të pakta.

“Nuk kishte shumë informacion. Nuk kishte shumë gjëra për të folur për komandën. Më sa dinim ne bëhej fjalë për grupe lokale të cilat ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje të shtypjes nga serbët në shumë e shumë vite.” – tha Clark gjatë dëshmisë.

Clark sqaroi se rritja e aktivitetit të grupeve të armatosura shqiptare ishte e lidhur drejtpërdrejt me vrasjen e familjes Jashari në Prekaz.

“Në veçanti pas vrasjes së familjes Jashari, filloj të krijohej një alarm i përgjithshëm që do kishte më shumë zhvillime negative dhe për këtë arsye po formoheshin këto grupe lokale.”

Sipas tij, NATO shpeshherë merrte më shumë të dhëna për UÇK-në nga Serbia se sa nga forcat e tyre.

“Unë sigurisht kam marrë më shumë informacion për UÇK-në nga serbët se nga forcat tona. Serbët kishin pika të identifikuara në hartë që i kishin të identifikuara si të ashtuquajtura pika terroriste. Ata po mundoheshin të mblidhnin informacione për ta.” – tha Clark.

Ai shtoi se shumica e personave të përfshirë në grupet lokale ishin njerëz të zakonshëm të cilët ishin detyruar të mbroheshin nga dhuna e vazhdueshme.

“Sigurisht që pjesa më e madhe e personave në këto grupe ishin persona që kishin familje, shtëpi dhe jetën e tyre, po përpiqeshin të mbronin veten dhe familjen.” – tha mes tjerash Clark.

14:14 – Clark në Hagë rrëfen se si u hartua plani që çoi në ndërhyrjen e NATO-s

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka shpjeguar në detaje se si kishte nisur procesi që do të çonte në ndërhyrjen ajrore kundër forcave serbe në vitin 1999.

Clark tha se paralajmërimet për shpërthimin e konfliktit ishin bërë herët.

Clark tregoi se kontaktet e para për hartimin e planit, kishin filluar menjëherë pas raportimeve për vrasjen e familjes Jashari.

“Kishte një taskë-forcë të forcave amerikane në Maqedoni. Nuk kisha qenë kurrë atje, shkova ta inspektoja dhe menjëherë me merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup. Pra Hill më thotë se duhet të flisni menjëherë me presidentin e Maqedonisë Kiro Gligorov. Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja Jashari. Por kur shkova të takoja presidentin e atëhershëm maqedonas, ai me shpjegoi se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj. Këto vrasje do të nisin një konflikt për shkak të kësaj. Shqiptarët do të kundërpërgjigjen. Ai e dinte çfarë po ndodhte, andaj unë e mora seriozisht atë çka po thoshte.” – thotë Clark në dëshminë e tij.

Pas këtij takimi, Clark deklaron se kishte paralajmëruar për konfliktin e ri.

“Pasi e takova presidentin Gligorov, kontaktova Pentagonin dhe i paralajmërova se Millosheviqi do te krijonte një konflikt të ri dhe u sugjerova që mbase duhet paralajmërimi i krishtlindjeve i 92-shit. Në këtë pikë SHBA dhe NATO thanë se ne nuk kemi asnjë politikë për Kosovën dhe gjatë prillit 98 sulmet serbe ndaj kosovareve u rriten dhe përshkallëzuan.”

Clark theksoi se procedurat e NATO-s nuk i lejonin të vepronin pa udhëzime politike, por ai kishte vazhduar të shtynte për hartimin e një plani të ndërhyrjes.

“Nuk kishte plane konkrete. Fola me sekretaren amerikane të shtetit për këtë, nuk kam folur me asnjë ministër të jashtëm. SHBA me udhëzoi të mos flisja me askënd tjetër. Por, po mendoj se ajo që ndodhi nëse me kujtohet, takimet ministriale në pranverë të 1998 më kërkuan që ta bëja një plan. Aty lindi udhëzimi që të përgatitet një plan.” – vazhdon dëshminë e tij.

Dëshmia e Clark nxjerr në pah vendimmarrjen e ndërlikuar brenda NATO-s dhe rolin e tij si komandant.

Ai shpjegoi se duhej të siguronte miratimin amerikan para se të niste hartimin e një plani të plotë ushtarak.

“Kur je pjesë e NATO-s, zingjiri i komandës është i dyfishtë… Mora lejen e tyre që të mund të flisja me Shtëpinë e Bardhe. Në atë moment filloj të zhvillohej plani. Pra, së pari më duhej të merrja leje nga SHBA për të hartuar një plan të NATO-s.”

Sipas tij, plani i NATO-s parashihte disa faza të ndryshme të presionit ushtarak ndaj Serbisë.

“Pra filloi me një ide që do të demonstronte kompetencën dhe fuqinë e SHBA- ve për të vijuar me sulmet mbi Serbinë. Kishte një lloj zhvillimi. Nëse ky spastrim do të vazhdonte me tej, atëherë i takonte që ne të vazhdonim me fushata bombarduese në Kosovë dhe nëse Millosheviqi nuk do të bindej, do vazhdonim me bombardime në Serbi. Nëse kjo nuk do të funksiononte, kishim opsione për të shkuar në rrugë tokësore.”

Ai tregoi edhe për takimet e tij të mëhershme me Sllobodan Millosheviqin, të cilat sipas tij tregonin frikën e këtij të fundit nga NATO.

“Mënyra si e hartova ketë plan është e tillë – kur kisha biseduar me Millosheviqin në Dejton… Ai më tha se ne serbët nuk kemi asnjë mundësi kundër NATO-s dhe ai po ankohej për këtë situatë, por unë e dija që ai ishte disi i frikësuar sa i përket fushatës së NATO-s.”

13:38 – Clark: Bush i kërkoi Millosheviqit që ta ndalonte dhunën menjëherë ose SHBA-ja do të kundërpërgjigjet

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark në dëshminë e tij në Hagë një mesazh të presidentit George H. Ë. Bush i parë për Sllobodan Millosheviqin.

Mesazhi i presidentit të atëhershëm të ShBA-së i kishte shkuar Millosheviqit përmes Wesley Clark dhe Richard C.Holbrooke.

“Diplomatët e dinin, por ne që ishim të dislokuar nuk ishim në dijeni për shkak të dhunës që ishte ndaj popullatës shqiptare nga policia serbe dhe nga MUP brenda Kosovës dhe presidenti Bush ju drejtua Millosheviqit që ta ndalonte dhunën menjëherë ose SHBA-ja do të kundërpërgjigjet. Ishte një referencë që përdorej nga forcat ushtarake për të ndaluar represionin ose dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës, që ishin në fakt shumicë e popullsisë.” – tha Clark.

Megjithatë, sipas Clark, Milloshqeviq nuk pranoi të flasë për këtë çështje, duke thënë se është problem i brendshëm i tij.

“Unë dhe Hollbrook e kontaktuam dhe ai tha se unë nuk flas për këtë. Është shteti im, problemi im. Refuzoj te fliste për këtë temë. Ne e dinim qe ishte e rrezikshme kjo gjë. Atje kishte vështirësi, por ai nuk donte të fliste.” – theksoi ish-komandanti i NATO-s.

13:15 – Clark, fillon dëshminë e tij në Hagë

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, më 17.11.2025, nisi dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, sot më 17.11.2025.

Ish-komandanti i NATO-s, po dëshmon në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë duke u gjykuar për akuzat për krime lufte.

Fillimisht, ai do të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Thaçit, teksa ekipi mbrojtës i ish-presidentit tha se i duhen rreth tri orë për t’i përfunduar të gjitha pyetjet.

Clark, është i shoqëruar nga një përfaqësuese e SHBA-ve, teksa dëshmia e ish-komandantit të NATO-s, do të kufizohet në disa fushëveprime të caktuara.

11:19 – Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, sot dëshmon në Hagë

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, do të dëshmojë sot në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, sot më 17.11.2025.

Seanca është paraparë të fillojë në orën 12:00 por, transmetimi i saj publik bëhet më 45 minuta vonesë.

Mbrojtja e Thaçit njoftoi se Clark ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë duke u gjykuar për krime lufte.

Wesley Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Fushata e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe ajo u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Para tij, javën që shkoi, kishte dëshmuar, Michael Durkee, ish-këshilltari politik i Wesley Clark.

Ai ishte ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në çështjen ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK): Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen rreth akuzave për krime lufte.

Gjatë dëshmisë së tij, Durkee pohoi se kishte qenë përgjegjës për të siguruar se gjenerali Wesley Clark ishte plotësisht i informuar dhe të bënte vlerësimet e përgjithshme lidhur me zhvillimet politike në gjithë rajonin që kishin ndikim mbi realizimin e misionit të tij ushtarak.

“Ne shihnim se si evoluonte mjedisi operacional d.m.th. merrnim parasysh përpjekjet e vazhdueshme të presidentit Sllobodan Millosheviq dhe forcat e tij për të shtypur rezistencën shqiptare. Po ashtu, shikonim edhe ndikimin dhe fuqitë ndërmjet shqiptarëve të Kosovës në atë kohë dhe mundoheshim të kuptonim se si do ta menaxhonim këtë situatë në mënyrë që operacionet e NATO-s dhe të vendeve jo-NATO mund të ishin sa më mirë të strukturuara” – deklaroi Durkee.

Sipas Durkee, çdo komandant ushtarak duhej të kishte një ide, vlerësim të mirë të mjedisit të përgjithshëm ku kryheshin operacionet ushtarake që drejtoheshin prej tij.

Durkee tregoi se më 1999 e kishte shoqëruar komandantin Clark në takimin me Hashim Thaçin, ku kishte qenë edhe Jakup Krasniqi.

Ai deklaroi se përmes këtij takimi, Clark kishte për qëllim të kuptonte synimet politike të UÇK-së.

Kurse, më 10.11.2025, kishte filluar dëshminë e tij, ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill. Edhe Hill, dëshmoi në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Christopher Hill, diplomat dhe një prej figurave kyçe të diplomacisë amerikane në Ballkan gjatë viteve ‘90, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet që çuan drejt përfundimit të luftës në Kosovë. Ai ka shërbyer si i dërguar special i SHBA-së për Kosovën dhe ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, diplomanti amerikan foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në kuadër të Konferencës së Rambujes.

Diplomati tashmë i pensionuar theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte UÇK-në.

Sipas Hill, Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandant, por “duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

Hill përshkroi takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke shtuar se atë e pa si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”- deklaroi Hill në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hill tha se pas më shumë se dy dekadash nga ngjarjet e luftës kishte ardhur koha për të reflektuar mbi atë periudhë dhe për të thënë atë që e dinte.

Ai tha se nuk kishte arsye të besonte që Hashim Thaçi- e as që kishte dëgjuar në atë kohë- që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme.

“Koha nuk i shëron të gjitha plagët, por mendoj që pas 25 vitesh është kohë e gjatë për t’i menduar gjërat. Nuk kam arsye të besoj se Thaçi është i përfshirë në aktivitete të tilla… Nuk kam arsye të besoj e as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai ka urdhëruar aktivitete apo veprimtari të paligjshme.” – tha Hill.

Deri më tani, si dëshmitarë të ftuar nga mbrojta kanë dëshmuar edhe katër personalitete ndërkombëtare: James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.  Këto figura, ishin përfshirë personalisht në zhvillimet e Konferencës së Rambujesë dhe në negociatat për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të katër dëshmitarët e ftuar nga mbrojta e Hashim Thaçit kryesisht kanë deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një hierarki dhe strukturë siç kanë ushtritë e tjera në botë. Kurse, për Hashim Thaçin thanë se nuk kishte autoritet të merrte vendime ushtarake, pa miratimin e komandantëve të zonave.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.

Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Sipas aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Demaku akuzohen për ndikim në dëshmitarë.

Themelimi i Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.

Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.

Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.

Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.