Raporti i Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuare në Hagë, ngrit shqetësime për punën e Gjykatës Speciale

Një raport i hartuar nga ekspertët e Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (BHRC) në Londër, me kërkesë nga Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, ka ngritur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku për krime lufte, po gjykohen ish-katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ky dokument, i cili shërben si një “vlerësim paraprak” i punës së deritanishme të gjykatës, vë në shënjestër veçanërisht praktikën e paraburgimeve të stërzgjatura, vështirësitë për lirim të përkohshëm dhe sfidat e legjitimitetit të një institucioni që, ndonëse ligjërisht pjesë e Kosovës, operon me personel tërësisht të huaj dhe jashtë territorit të vendit.

Raporti ka ngritur dilema për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka ndarë detaje nga raporti, në një konferencë për media sot më 29.04.2026, duke theksuar disa shqetësime.

“Raporti evidenton shqetësime serioze për kohëzgjatjen e paraburgimit, refuzimin e lirimit të parakohshëm, dhe kufizimet në komunikim me familjen. Fakti që deri më tash ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite pa filluar procesi, nënkupton që një pretendim i tillë nuk është vetëm shqetësim, por fakt konkret”- deklaroi Qelaj.

Sipas tij, shqetësuese ka qenë edhe mbikëqyrja e komunikimeve në qendrën e paraburgimit.

“Mbikëqyrja sistematike e komunikimeve që jam ballafaquar edhe unë, jam vëzhgu nga personeli i paraburgimit, jam xhiru nga dy kamera, raporti konstaton se mbikëqyrja sistematike, kjo kornizë ka dyshime serioze për cenim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimet që kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar, por kalojnë edhe përtej atyre shqetësimeve”- ka shtuar Qelaj.

Raporti ka ngritur shqetësime për një gjykim të drejtë dhe të pavarur, duke aluduar në emërimin e trupit gjykues.

“Lidhur me transparencën, raporti thekson si shqetësime serioze mungesën e një institucioni mbikëqyrës, dhe kontrolli institucional. Kurse, sa i përket standardit të Gjykatës kompetente të pavarur, për gjykim të drejtë, raporti evidenton shqetësime serioze në emërimin e trupave gjykues. Raporti konstaton se kryetarja ka diskrecion për të emëruar panelet, konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregullën 12. Kërkesën për përjashtimin e kryetares së Gjykatës e trajton vetë kryetarja, që tregon se ka probleme serioze” – ka thënë mes tjerash Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Raporti i publikuar sot, ka theksuar edhe pranimin e provave nga Serbia, duke evidentuar pasiguri të qartë juridike, u tha në prezantim të raportit.

“Për këto prova, raporti thekson mungesë transparence. Ato janë dhënë pa vendim publik. Parimin e barazisë së armëve, raporti evidenton kufizimet në vizita, mungesën e hapësirës adekuate për përgatitje, procedurat penale paralele, dhe ndryshimet e sistemit të ndihmës juridike. Këto elemente janë indikator serioz që kërkojnë analizë të mëtejme”– tha Qelaj.

Raportin preliminar të Dhomave të Specializuara të Kosovës, mund ta lexoni këtu.

Gjykimi për aktakuzën në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi , akuzohen për krime lufte, është në pritje të vendimit, pasi në shkurt 2026 u dhanë fjalët përfundimtare, të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Përmbledhjet e dhënies së fjalëve përfundimtare:

Përmbledhja e Ditës 1 – 09.02.2026 – Fjala përfundimtare e ZPS-së

Përmbledhja e Ditës 2 – 10.02.2026 – Përmbyllja e fjalës përfundimtare të ZPS-së dhe fjala përfundimtare e Mbrojtësit të viktimave

Përmbledhja e Ditës 3 – 11.02.2026 – Fjala përfundimtare e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Kadri Veselit

Përmbledhja e Ditës 4 – 12.02.2026 – Përmbyllja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Kadri Veselit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Rexhep Selimit

Përmbledhja e Ditës 5– 13.02.2026- Përmbyllja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Jakup Krasniqit

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Jack Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.

Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Sipas aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Smakaj dhe Fazliu më 10.02.2026 janë liruar me kusht. Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, koha që Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar në paraburigm tejkalon dënimin minimal që do të merrnin nëse dënoheshin për këtë vepër penale.

Themelimi i Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.

Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.

Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.

Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.

Nga kërcënimet, përplasjet e brendshme e roli i Thaçit në luftë – dëshmia triditëshe e James Rubin