Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Çka thotë ligji për marrëdhënien ndërmjet Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme?

Deklaratat që dha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, gjatë seancës së kuvendit këtë të enjte bën ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që të reagoj publikisht.

Deputeti Qalaj, gjatë fjalimit të tij pretendoi se Sveçla ka marrë në pyetje për 12 orë shefat e hetimeve të Policisë së Kosovës.

Ndërsa, në një përgjigje për këto deklarata, vet ministri tha se takimi i përmendur ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë.

Ministri Sveçla tha se persona që ishin pjesëmarrës në këtë takimi ‘kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë’, e po ashtu ai shtoi se është detyrë e tija që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj.

Mirëpo, si e përcakton ligji marrëdhënien ndërmjet Policisë dhe Ministrisë.

Paragrafi i parë i nenit të 5 të Ligjit për Policinë thotë se Policia funksionon nën autoritetin e ministrit të MPB-së dhe nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Po ashtu, ky nen tregon se autoriteti i ministrit nuk përfshinë menaxhimin operacional të policisë dhe se është Drejtori i përgjithshëm i Policisë ai i cili i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit për administrimin dhe menaxhimin e policisë.

“Drejtori i përgjithshëm bashkëpunon me ministrin dhe i ofron informata dhe raporte atij sipas mënyrës së përcaktuar me ligj” – thuhet në ligjin në fjalë.

Sa i përket çështjes së raportimit të shefave të hetimeve tek ministri, ashtu siç deputeti Qalaj pretendon se ka ndodhur, diçka e tillë nuk përmendet në Ligjin për Policinë, i cili është në fuqi që nga viti 2012.

Në anën tjetër, as në paragrafin e dytë të këtij neni, që flet për të drejtat që ka ministri në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, nuk flitet për raportime të shefave të hetimeve.

Lidhur me deklaratën që ka bërë Qalaj, KALLXO.com ka mësuar se drejtorët që ka aluduar Qalaj, janë Arben Paçarizi, ish-Drejtor i Departamentit të Hetimeve, Drejtori i Divizionit të Hetimeve, Drejtori i Divizionit për Hetimin e Krimeve të Rënda si dhe Shefin e Taskforcës.

Ish-drejtori i hetimeve në Policinë e Kosovës, Arben Paçarizi ka refuzuar të flas në lidhje me këto pretendime duke thënë se duhet të kërkojmë përgjigje në zyrën për media.

“Nuk mund të jap asnjë përgjigje në lidhje me këtë çështje, drejtohuni në zyrën për media”- tha në telefon Paçarizi.

Madje ai nuk pranoi edhe të flas në lidhje me ndryshimin e pozitës së tij nga Drejtor i Departamentit të Hetimeve në  Njësinë për bashkëpunim ndërkombëtar në zbatim të ligjit (ILECU).

“Unë po ju tregoj ka muaj të tërë që unë kam kaluar në një pozicion tjetër”- shtoi shkurt Paçarizi, duke mos dhënë detaje të tjera për transferimin e tij në ILECU.

Në lidhje me pretendimet e ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me shefin e Taskforcës, Shemsi Haziri.

“I pash lajmet nëpër media, ju lutem t’i drejtoheni zyrës për informim. E kemi një hierarki që duhet me respektu, duhet me i dërgu pyetjet në zyrë për media ata sigurisht më kontaktojnë mua dhe më pas merrni përgjigje prej tyre”- ka shpjeguar Haziri duke refuzuar që të tregoj nëse ka marrë pjesë në këtë takim.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Drejtoresha e Divizionit të Hetimeve, Florie Hajra, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme përmes telefonit.

Reagon Sveçla pas deklaratave të Qalajt: Takimi me shefat e hetimeve është mbajtur për prezantimin e të arriturave të Policisë