Ilustrim
Çfarë dihet për marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Libanit
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kumtuar lajmin për ujdinë e armëpushimit për t’i dhënë fund 13 muajve të luftimeve ndërmjet Izraelit dhe “Hezbollahut”, milicisë libaneze të mbështetur nga Irani.
Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca kanë thënë se marrëveshja do të ndalte luftimet në Liban dhe do të “siguronte Izraelin prej kërcënimit të ‘Hezbollahut’ dhe organizatave të tjera terroriste”.
Dhe kjo është çfarë dihet për marrëveshjen e armëpushimit prej deklarimeve zyrtare dhe raporteve mediatike, raporton e analizon BBC.
Armëpushimi synohet të jetë i përhershëm
Presidenti Joe Biden u ka thënë reporterëve se marrëveshje ka për qëllim “të jetë një armëpushim i përhershëm”.
Sipas kushteve të armëpushimit, gjatë gjashtëdhjetë ditëve të ardhshme “Hezbollahu” do t’i tërheqë luftëtarët dhe armatimet e veta nga rajoni ndërmjet Vijës së Kaltër – kufiri jozyrtar ndërmjet Libanit dhe Izraelit – dhe Lumit Litani, rreth 30 kilometra në veri.
Luftëtarët e “Hezbollahut” do të zëvendësohen prej forcave ushtarake libaneze në rajon, që do të sigurohen që infrastruktura dhe armatimi do të tërhiqen dhe se nuk mund të rindërtohen, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë amerikan.
Gjatë gjashtëdhjetë ditëve të njëjta, Izraeli do të tërheqë gradualisht forcat dhe civilët e tij të mbetur, ka thënë Biden, duke shtuar se kjo do t’ua mundësojë civilëve të të dy palëve kufirit që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pesë mijë trupa libaneze në vend të “Hezbollahut”
Ushtria libaneze pritet të vendosë pesë mijë trupa të saj në jug në pajtim me marrëveshjen, ka bërë të ditur zyrtari amerikan.
Megjithatë, dilemat mbesin për punën e rolit të zbatimit të marrëveshjes, dhe nëse trupat do të konfrontohen me “Hezbollahun” nëse është e domosdoshme, që do të ishte potencial për të përshkallëzuar tensionet në një vend ku ndasitë sektare janë të thella.
Ushtria libaneze ka bërë të ditur gjithashtu se nuk i ka burimet – paratë, fuqinë njerëzore dhe pajisjet – për t’i përmbushur obligimet e veta sipas ujdisë, megjithëse kjo mund të mbulohet prej ndihmës së aleatëve ndërkombëtarë të Libanit.
Por shumë zyrtarë perëndimorë thonë se “Hezbollahu” është dobësuar dhe ky është një moment për Qeverinë libaneze që të rikthejë kontrollin në mbarë territorin e vendit.
Kush do ta monitorojë zbatimin e marrëveshjes?
Marrëveshja bazohet goxha shumë në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën i ishte dhënë fund luftës së vitit 2006 ndërmjet Izraelit dhe “Hezbollahut”.
Sipas Rezolutës 1701, rajonet në jug të Lumit Litani duet të jenë të lira prej çfarëdo personeli ose armatimit ushtarak, por atyre të shtetit libanez dhe forcës paqeruajtëse të OKB-së (UNIFIL).
Por dy palët pretendojnë se ka shkelje të rezolutës.
Izraeli thotë se “Hezbollahu” ishte lejuar të ndërtonte infrastrukturë të madhe në rrethinë, përderisa Libani thotë se shkeljet e Izraelit përfshinin edhe fluturimet ushtarake mbi territorin libanez.
Kësaj here, SHBA-ja dhe Franca do t’i bashkohen mekanizmit ekzistuese trepalësh, që përfshin UNIFIL-in, Libanin dhe Izraelit, që do të ngarkohet me monitorimin e shkeljeve, ka thënë zyrtari i lartë amerikan.
“Nuk do të ketë trupa luftarake amerikane në rrethinë, por do të ketë mbështetje ushtarake për Forcat e Armatosura Libaneze, sikur se kemi bërë edhe në të kaluarën. Por në këtë rast, do të kryhet me ushtrinë libaneze dhe në bashkëpunim me ushtrinë franceze gjithashtu”, ka thënë zyrtari.
Duke aluduar në shqetësimet izraelite, Bideni ka thënë: “Infrastruktura terroriste e ‘Hezbollahut’ në Libanin jugor do të lejohet që të rindërtohet”.
Izraeli pretendon të drejtën që t’u kundërvihet shkeljeve
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli “do ta ruajë lirinë e plotë të aksionit ushtarak” në Liban “mirëkuptim të plotë të Shteteve të Bashkuara”.
“Nëse ‘Hezbollahu’ shkel marrëveshjen dhe mundohet ta armatosë veten, ne do të sulmojmë. Nëse provon të rindërtojë infrastrukturën e tij terroriste afër kufirit ne do të sulmojmë. Nëse hedh ndonjë raketë, nëse hap ndonjë tunel, nëse sjell ndonjë kamion me raketa, ne do të sulmojmë”, ka thënë ai.
Bideni e ka mbështetur këtë pikëpamje, duke iu thënë reporterëve: “Nëse ‘Hezbollahu’ ose kushdo tjetër shkelje marrëveshjen dhe përbën kërcënim direkt për Izraelin, atëherë Izraeli ruan të drejtën për vetëmbrojtje në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Por ai ka thënë gjithashtu se marrëveshja mbron edhe sovranitetin e Libanit.
Kërkesa izraelite për të drejtën për të sulmuar nuk besohet të jetë pjesë e marrëveshjes për shkak se ishte refuzuar nga Libani. Për ta adresuar këtë çështje, mediat sugjerojnë se SHBA-ja do të nxjerrë një letër mbështetëse që do ta mbështesë të drejtën e Izraelit për të vepruar.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com