Burim Buleshkaj dhe Destan Zogaj largohen nga puna në Shërbimin Korrektues, shkak rasti Dehari

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit për Operativë, Siguri dhe Transport të të burgosurve, Burim Buleshkaj, dhe Destan Zogaj, zyrtar korrektues, ish- u.d. i drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Buleshkaj dhe Zogaj ishin pezulluar nga puna në shtator të vitit të kaluar për shkelje të rënda  disiplinore lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

SHKK në njoftim sot ka thënë se kanë konstatuar se Buleshkaj dhe Zogaj janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore.

“Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  duke u bazuar në këto shkelje ka vendosë largimin e të dy nëpunësve civil nga puna” – thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, Ministria e Drejtësisë flet rreth kthimit në punë të zyrtarëve të suspenduar

Albulena Haxhiu, në një konferencë për media vitin e kaluar kishte përmendur shkeljet e gjetura nga Inspektorati në rastin e Astrit Deharit.

“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit, incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 (kur ka ndodhur rasti) dhe datat 6, 7 nëntor 2016”- kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Sipas saj, marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga komisioni i SHKK përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave.

Janë bërë gati 7 vite prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019, e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.