Astrit Dehari | Foto: LVV

Haxhiu: Në raportin e Inspektoriatit për rastin e Deharit janë evidentuar dy shkelje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka kërkuar inspektim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas saj, ky inspektim është kërkuar muajin e kaluar, për të parë nëse zyrtarët përgjegjës kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ajo tregoi se në raportin e pranuar para 10 ditësh nga IMD janë gjetur dy shkelje.

“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave” – tha ajo.

Haxhiu tha se sipas Inspektoratit, incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK-së, janë marrë para se ato t’i merrte policia. Këtë gjë ajo e quajti ‘të çuditshme’ pasi që sipas saj ata mund të kenë qasje në incizimet por asesi t’i marrin ato përmes USB-së dhe asesi para policisë.

Ndërkaq, shkelja tjetër sipas raportit të Inspektoratit është se kryeinspektori në vitin 2016, lidhur me rastin në fjalë ka nxjerrë dy raporte kontradiktore, njëri më 14 nëntor 2016 dhe tjetri më 21 nëntor 2016.

Ministrja Haxhiu tha se kryeinspektori ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore duke e cilësuar rastin si vetëvrasje në raportin e parë dhe si rast të vdekjes në raportin e dytë.

“Këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14, ky i fundit e mohon që është i shkruar nga ai dhe rrjedhimisht e konteston si të tillë” – tha Haxhiu.

Prandaj, ajo kërkoi nga organet e ndjekjes që ta zbardhin nëse ky raport është i falsifikuar dhe nëse po nga kush apo nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën.

Ndër të tjera, ajo tha se në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ata kanë vazhduar të jenë në punë deri më datë 21 nëntor 2016 ku sipas saj, “lë hapësirë për manipulim të provave dhe dëshmive”.

Sipas saj është e çuditshme dhe e paprecedentë që dëshmitari kryesor i rastit, Naser Makolli, është transferuar më datë 9 dhjetor në Lipjan ku paraprakisht ne qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficerët më masën disiplinore të transferimit.

“Me fjalë të tjera po i bie që në qendrën në Lipjan janë transferuar edhe zyrtarët përgjegjës e po ashtu edhe dëshmitari kryesor Naser Makolli me ç’rast dëshmitari kryesor kishte ndërruar jetë po aty. A mendoni që kjo mund të jetë një rastësi?!” – tha Ministrja e Drejtësisë.

Ajo tha se mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe lë dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast prandaj i bëri thirrje prokurorisë që të ndërmerrë masa adekuate dhe cilësore për zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari.

Pas kësaj ajo tha se këtë raport me gjithë shkresat përcjellëse do ta dërgojnë te Kryeprokurori i Shtetit dhe te organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në rast.

Haxhiu tha ky inspektim është bërë vetëm në aspektin administrativ dhe se Ministria e Drejtësisë do të ofrojë gjithë mbështetjen për institucionet që ky rast të zbardhet.

Ajo tregoi se ky inspektim është kërkuar pas marrjes së informatave nga zyrtarë të ndryshëm lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast.

Deklaratat se një derë në Prizren nuk është hapur e më pas që është hapur, vdekja e dyshimtë e dëshmitarit Naser Makolli, paragjykimet nga ish-Drejtori i Policisë dhe ish-Kryeprokurori Sylë Hoxha se ky rast është vetëvrasje, falja e një pjesë të denimit të një personi që është në burg, ministrja Haxhiu tha se këto janë arsyet që ajo dyshon se ky rast ka tentuar të manipulohet që nga fillimi.

Ajo tha se uron që U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi të vlerësojë rrethanat dhe të veprojë në përputhje me përgjegjësitë lidhur me kërkesën e familjes Dehari për ndërrimin e prokurorit të rastit për shkak të neglizhencës dhe mosveprimit të tij.

Ajo tha se mendon që duhet formuar një ekip që do të analizojë secilën rrethanë prej ditës së vdekjes, apo edhe më herët e deri sot.

Po ashtu, ministrja Haxhiu theksoi se prokuroria nuk ka kërkuar asnjëherë dokumentacion apo diçka tjetër nga ajo gjatë kohës që ajo ka qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë komente nga personat për të cilët ka përmendur ministrja Haxhiu gjatë konferencës. Buleshkaj dhe Zogaj kanë thënë për KALLXO.com se nuk kanë autorizime për të dhënë sqarime për media në lidhje me këtë çështje.

Ndërsa, kryeinspektori i Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, ka udhëzuar KALLXO.com që të drejtohet te Zyra e Komunikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ju lutem, duke ju referuar rregullave të komunikimit të brendshëm të MD-së, unë i kam dhënë sqarimet për këtë rast dhe ato mund t’i kërkoni tek Zyra e Komunikimit e MD-së” – ka thënë Topalli.

Janë bërë gati 7 vite prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.

Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.

Shënim: Artikulli është plotësuar në 14:24 me përgjigjet e Zogajt dhe Buleshkajt. Në 17:05 artikulli është plotësuar edhe me përgjigjen e Ylber Topallit.