Rrethojë burgu - Foto: REL/Shutterstock

Shërbimi Korrektues pezullon nga puna zyrtarët Burim Buleshkaj dhe Destan Zogaj, shkak rasti i Astrit Deharit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar nga puna zyrtarët Burim Buleshkaj, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Operativë, Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, dhe Destan Zogajn, zyrtar korrektues, ish-ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në njoftim bëhet e ditur se ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

Tutje, në njoftim potencohet se Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i deryrës në funksionet të cilat i kanë pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.

Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka  vendosur pezullimin e nëpunësve civilë për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë.

Ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media përmendi shkeljet e gjetura nga Inspektorati në rastin e Astrit Deharit.

“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit, incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 (Kur ka ndodhur rasti) dhe datat 6, 7 nëntor 2016”- ka deklaruar ministrja Haxhiu.

Sipas saj, marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave.

Janë bërë gati 7 vite prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.

Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.