Rastet kur të dënuarit për terrorizëm dhe ekstremizëm u liruan me kusht

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ është diskutuar rreth gjetjeve të raportit të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, i cili ka gjurmuar 10 dosje të korrupsionit.

Gjatë trajtimit të rasteve të terrorizmit, BIRN ka gjetur informacione se disa nga të burgosurit për terrorizëm kanë nisur të lirohen para kohe dhe kjo duke përdorur mekanizmat e panelit për lirim me kusht.

Alban Rrahmani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në ‘Kallxo Përnime’ tha se aktualisht 19 persona janë në mbajtje për veprat penale që lidhen me terrorizëm.

“Shërbimi korrektues i Kosovës aktualisht ka në mbajtje 19 persona për veprat penale që lidhen me terrorizëm dhe kjo kategori e të burgosurve është e vendosur në dy lokacione dhe trajtohen në mënyrë të dinjtetshme si çdo kategori. Aktualisht 10 të burgosur janë të vendosur në qendrën korrektuese në Dubravë, ndërsa nëntë të paraburgosur janë të vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë edhe pse statistikat mund të ndryshojnë në baza ditore” – tha ai.

Rrahmani dha shifra se sa nga të burgosurit për veprat që lidhen me terrorizëm janë liruar me kusht që nga viti 2019.

“Kur po flasim për lirimet, lirimin normal e kanë përfituar 25 persona nga viti 2019 prej kur ka filluar këto dy mundësi të lirimit të parakohshëm, ndërsa lirimin me kusht – 24. Ekipi multi-disiplinor bën një plan të dënimit, po flas për persona të dënuar dhe mbi bazën e matjeve të sjelljeve të tyre dhe përfshirjen e tyre në aktivitete dhe vlerësimi i përformancës së tyre, pastaj për t’u përpiluar raporti te paneli për t’u liruar me kusht” – thotë ai.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, ka gjetur se disa të burgosur kishin marrë rekomandime për lirim me kusht por proceset janë refuzuar nga paneli për lirim me kusht. Arsyet janë se brenda sistemit është ndërtuar një mekanizëm që vlerëson nëse të dënuarit kanë përmbushur procesin e risocializimit.