Personi që vdiq në aksidentin në Bresje ishte i burgosur, po shkonte në vendin e punës

Personi i cili mbetur i vdekur nga një aksident trafiku në fshatin Bresje të Fushë Kosovës mëngjesin e sotëm po mbahej në qendrën korrektuese të Smrekonicës nga ku kishte dal për të shkuar në vendin e punës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) njoftoi për vdekjen e F.A. i cili, sipas udhëzimit administrativ, po punonte jashtë qendrës, në një biznes privat.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se sot në një aksident trafiku ka ndërruar jetë i burgosuri, F.A.. I njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku kishe dalë sot rreth orë 06:35 për të shkuar në vendin e punës, ku sipas Udhëzimit Administrativ për punë jashtë institucioneve korrektuese, MD-nr. 04/2023, po punonte jashtë në një biznes privat” – thuhet në njoftim.

Se bëhet fjalë për personin e njëjtë, për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i ShKK-së,  Florent Gashi.

“Po, ky i njëjti është”- konfirmoi ai.

Sipas policisë, lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e autostradës.