
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bordi i RTK-së raporton nesër në Komisionin parlamentar për buxhet
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës do të raportojë nesër para Komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.
Shqyrtimi i raportit të shpenzimeve për periudhën prill-qershor dhe shqyrtimi i raportit financiar janë pikat për të cilat do të raportojë bordi i RTK-së në Komision.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me 361 nënshkrime, përmes të cilit kërkohet dorëheqja e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
Hoxha ka thënë se peticioni u është dorëzuar edhe grupeve parlamentare dhe komisioneve përkatëse.
Peticioni është organizuar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.
“Përmes këtij PETICIONI të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini”- thuhet në njoftimin e sindikatave.
Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.
Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave” ngjalli reagime të shumta.
Në një komunikatë për shtyp, bordi i quajti sulme ‘të grupeve të interesit’ denoncimet për diskriminim gjinor në RTK.
KALLXO.com ka publikuar hulumtimin me rrëfimet e tri profesionisteve të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në mediumin publik (RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.
Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.
Ilire Zajmi, udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK, kanë rrëfyer procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.
Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës” – Rrjeti i Grave të Kosovës i reagon RTK-së
Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës”, reagon Shenoll Muharremi
Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave”, reagon kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore