Bllokimi i autobusëve nga Kosova në pikat kufitare me Serbinë, flasin nga kompania turistike

Autobusët dhe çdo automjet tjetër me targa të Kosovës, janë bllokuar në pikëkalimin kufitar “Batrovci” mes Serbisë dhe Kroacisë.

Nga kompania turistike, “Barileva Turist” kanë thënë  për KALLXO.com se bllokim ka edhe edhe në pikëkalimin kufitar “Hogrosh”, mes Serbisë dhe Hungarisë.

Sipas kësaj kompanie, aktualisht janë në pritje të procedurave për lirimin e autobusëve.

“Edhe për neve ka qenë diçka e papritur. Momentalisht, jo vetëm autobusët e Barileva Turist, por çdo automjet me targa të Kosovës është i ndaluar. Nuk ka diçka shqetësuese. Jemi në pritje procedurale. Po besoj që organet kompetente kanë me vendos ndonjë raport ose diçka për lirimin e autobusëve. Jemi duke pritur edhe ne. Udhëtarët janë mirë dhe ne jemi në kontakt me kolegët tanë- shoferët të cilët janë duke pritur sikurse çdo makinë tjetër” – kanë thënë nga Barileva Tourist.

Autoritetet kufitare të Serbisë kanë bllokuar rreth 300 qytetarë të Kosovës në pikëkalimin kufitar “Batrovci” mes Serbisë dhe Kroacisë, sipas sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.

Sipas tij, kjo vjen si “hakmarrje dhe nervozizëm absurd” ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Haxholli ka thënë se nga mesnata aty po mbahen të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë të Kosovës.

Ndërkaq, para disa minutash Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se pas gjendjes në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

Këto dy ministri kanë udhëzuar të gjithë udhëtarët që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

“MPJD dhe MPB janë duke ndermarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”- thuhet në njoftimin e publikuar më 17.04.2024