Ilustrim
Autoritetet e Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve për ta evituar me çdo kusht kalimin nëpër Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se pas gjendjes në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.
Këto dy ministri kanë udhëzuar të gjithë udhëtarët që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.
“MPJD dhe MPB janë duke ndermarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”- thuhet në njoftimin e publikuar më 17.04.2024
Autoritetet kufitarë të Serbisë ka bllokuar rreth 300 qytetarë të Kosovës në pikëkalimin kufitar “Batrovci” mes Serbisë dhe Kroacisë.
Kështu ka thënë Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.
Sipas tij, kjo vjen si “hakmarrje dhe nervozizëm absurd” ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Haxholli ka thënë se nga mesnata aty po mbahen të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë të Kosovës.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’” – ka shkruar Haxholli në Facebook.
Sipas tij, Zyra ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me zyrën ndërlidhëse në Kosovë, prandaj Haxholli thotë dhe është në pritje të përcjelljes së afërt për të udhëtuar drejt “Batrovcit” për të qenë pranë qytetarëve edhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi.
Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.