Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken në turne në Lindjen e Mesme për një armëpushim eventual në Gaza 

Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken ka arritur në Turqi herët të hënën në ndalesën e fundit të një udhëtimi të stuhishëm diplomacie në Lindjen e Mesme. Blinken është takuar me zyrtarë izraelitë në Tel Aviv, ka diskutuar për dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor dhe është takuar me liderët kryesorë rajonalë rreth thirrjeve në rritje për një armëpushim në Gaza.

Në takimin e tij me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, raportohet se ky i fundit ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj ofensivës së Izraelit në Gaza, duke i quajtur veprimet “krime kundër njerëzimit” dhe duke thënë këtë fundjavë se po pezullon komunikimet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Turqia gjithashtu e ka tërhequr ambasadorin e saj në Izrael për “konsultime”.

Sekretari Blinken ka bërë një vizitë të papritur në Irak të dielën pas udhëtimit të tij të mëparshëm në Bregun Perëndimor dhe një ndalesë të shkurtër në Qipro. Kryeministri i Irakut, Mohamed Shia al-Sudani, u takua me sekretarin amerikan të shtetit, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit irakian, sipas Agence France-Presse.

Kjo vizitë vjen ndërkohë që forcat amerikane në rajon përballen me një rritje të sulmeve nga milicitë aleate iraniane në Irak dhe gjetkë. Forcat amerikane rrëzuan një tjetër dron sulmues të njëanshëm të dielën që kishte si objektiv trupat amerikane dhe të koalicionit pranë bazës së tyre në Sirinë fqinje, ka deklaruar një zyrtar amerikan. Në Bregun Perëndimor, as Blinken dhe as presidenti palestinez Mahmoud Abbas nuk folën ndërkohë që përshëndesnin njëri-tjetrin para kamerave dhe takimi i tyre përfundoi pa asnjë koment publik.

Blinken u takua me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, të dielën për të diskutuar një korridor të ndihmës detare nga ishulli në Gaza. Biseda e tyre përfshinte “një korridor detar të dedikuar, njëkahësh të fluksit të qëndrueshëm të ndihmave humanitare nga Qipro për civilët në Gaza”- ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Qipros, Konstantinos Letymbiotis./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala