Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, në takimin me Zëvendësdrejtorin Menaxhues për Europë të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm(EEAS) të BE-së, Marko Makovec.
Sipas komunikatës për media të Kryeministrisë, Bislimi ka theksuar domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt integrimit europian.
“[Bislimi] Theksoi dhe domosdoshmërinë e avancimit tutje të vendit tonë në rrugëtimin drejt integrimit evropian, veçanërisht trajtimit të aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ende pa statusin e vendit kandidat, përkundër ecurisë pozitive dhe shënimit të progresit, jo vetëm në zbatimin e reformave, por edhe performancës së lartë në fusha kyçe si, ekonomia, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut e liria e mediave”, thuhet në komunikatë.
Ai ka thënë se përkundër progresit dhe ecurisë pozitive në zbatimin e reformave dhe performancës në ekonomi, sundim të ligjit, luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, të drejtat e njeriut e lirisë së mediave, Kosova ende mbetet pa statusin e vendit kandidat.
Në komunikatë megjithatë nuk bëhet e ditur se çfarë i ka thënë Makovec Bislimit në këtë takim.
Por, Bislimi siç thuhet në komunikatë ka shprehur vlerësimin për bisedat e frytshme me Makovecin.