Beke Berisha 29.05.2023 - FOTO KALLXO.com

Berisha: Policia e Kosovës më së shumti ka patriotizëm, ndonëse me paga të ulëta e pa sigurim shëndetësor

Pas dështimit të mbajtjes së raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë, kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha (AAK) është prononcuar për media në lidhje me sulmin terrorist të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, të dielën.

Berisha ka thënë se e kanë përcjellë me shqetësim ngjarjen në Banjskë dhe i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të Afrim Bunjakut, policit të Kosovës që u vra nga grupi terrorist serb.

“Policia e Kosovës me shumë mungesa e me paga të vogla, pa sigurim shëndetësor më së shumti ka patriotizëm dhe po i kryen detyrat dhe duam t’i falënderojmë si qytetarë e si Parlament”, është shprehur Berisha.

Sipas Berishës, Komisioni për Çështje të Sigurisë nuk ka rol aktiv në ngjarje, mirëpo janë duke e shikuar me kujdes zbatimin e ligjit.

“Para disa muajve e kam tërhjekë vëmendjen te qeveria se në veri nuk ka të bëjë me kontrabanda, me droga por është më e madhe, si këto që po ndodhin”, ka theksuar Berisha.

Në lidhje me mungesën e ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Komisionin për Çështje të Sigurisë Berisha ka thënë se të hënën ka marrë një e-mail nga ministri që takimi të shtyhet, por që sipas deputetit të AAK-së, raportimi nuk do duhet të shtyhej.

Sipas tij, ministri i FSK-së nuk ka të bëjë ngjarjet e fundit në veri dhe do duhej që sot të ishte prezent në këtë komison.

“Ministri i FSK-së nuk ka të bëjë dhe nuk duhet të përfshihet në asgjë në keto ngjarje që po ndodhin, ai duhet të jetë prezent këtu. Po ashtu edhe deputetët e pushtetit nuk marrin pjesë në këtë komision, si parti nuk po e respektojnë komisionin”- ka thënë Berisha.

Të dielën një grup prej mbi 30 personash sulmuan patrullën e policisë në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.

Policia pasi rrethoi zonën u ishte përgjigjur shkëmbimeve të zjarrit të grupit terrorist, duke i lënë tre të vrarë dhe disa të plagosur dhe arrestoi gjashtë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist.