Komisioni për Çështje të Sigurisë, Foto: KALLXO.com

Dështon raportimi, ministri i Mbrojtjes nuk shkon në Komisionin për Çështje të Sigurisë

Ka dështuar të mbahet raportimi i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Komisionin për Çështje të Sigurisë. Maqedonci nuk ishte prezent në mbledhje.

Kryetari i komisionit, Bekë Berisha (AAK) tha se dje ka marrë një e-mail nga ministri që takimi të shtyhet, por që sipas deputetit të AAK-së, raportimi nuk do duhet të shtyhej.

“Ky ka qenë raportim i rregullt i ministrit Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Dje kam marr e-mail ku thuhet që ky takim duhet të shtyhet nga ministri, dhe e-maili im është kthy që ky takim nuk duhet të shtyhet sepse nuk ka pasë ndonjë arsye”- tha Berisha.

Sipas Berishës, ministri i FSK-së nuk ka të bëjë ngjarjet e fundit në veri dhe do duhej që sot të ishte prezent në komison.

“Ministri i FSK-së nuk ka të bëjë dhe nuk duhet të përfshihet në asgjë në keto ngjarje që po ndodhin, ai duhet të jetë prezent këtu. Po ashtu edhe deputetët e pushtetit nuk marrin pjesë në këtë komision, si parti nuk po e respektojnë komisionin”- theksoi Berisha.

Deputeti tha se do ta ketë një konsultë me deputetët që ishin prezentë në komision, Rashit Qalaj dhe Hisen Berisha nga PDK-ja dhe Anton Quni nga LDK-ja.

“Pasi që s’kemi kuorum mediat të na lirojnë sepse do mbajmë një konsultë të përbashkët me deputetët dhe për ndonjë pytje do të jemi bashkë më pas”- u shpreh Berisha.