BE: E kemi parë çfarë tha Radoiçiq, faktet duhet të zbardhen dhe Serbia të bashkëpunojë pa kushte

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka thënë se prioriteti i parë dhe kryesor për të gjithë është shtensionimi dhe stabilizimi i situatës në veri.

Sipas Stanos, janë dy zhvillime shqetësuese ditëve të fundit; sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe zbulimi i një grumbulli të madh armësh në veri të Kosovës.

“Janë dy zhvillime shqetësuese ditëve të fundit prej nga çka kemi parë, sulmi terrorist i së dilës para kësaj jave, dhe zbulimi i një grumbulli të madh armësh në veri të Kosovës, kjo është shumë serioze. Në të njëjtën kohë kemi ne kemi vërejtur ngritjen e ushtrisë serbe në vijën kufitare administrative me Kosovën, dhe kjo është gjithashtu shumë shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë, ky ishte mesazhi i Borrell”- theksoi ai.

I pyetur rreth përgjegjësisë që e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq për sulmin, dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano tha se e ka parë se çka ka thënë Radoiçiq për përfshirjen e tij në ngjarjet e 24 shtatorit, teksa shtoi se të gjitha faktet duhet të zbardhen dhe se presin bashëkpunim të plotë nga Serbia.

“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiq për përfshirjen e tij në ngjarjet shumë fatkeqe të 24 shtatorit dhe BE-ja ishte shumë e qartë, Borrell ka thënë se të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Në këtë kontekst presim bashkëpunim të plotë dhe pa kushte nga Serbia”- theksoi Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se mandati i EULEX-it nuk përfshin hetime, përderisa ritheksoi edhe një herë qëndrimin e  shteteve anëtare të BE-së për masat ndaj Serbisë.

“Secilën ditë dalin dëshmi të reja. Nuk i komentojmë por, duhet të shohim rezultatin përfundimtar të hetimeve, hetime të plota dhe të duhura që qartësojnë kontekstin dhe rrethanat lidhur me sulmin terrorist dhe ato se çka lidhet me ngjarjet. BE e ka thënë qartë se, është e gatshme të diskutojë masa edhe ndaj Serbisë nëse shtetet anëtare vendosin se kanë informacione dhe fakte të mjaftueshme dhe ata do të reagojnë në një kohë që zgjedhin”- tha Stano.

“Ne nuk i diskutojmë në publik procedurat që janë në vazhdim, sikur me masat ndaj Kosovës, ne njoftuam për to pasi ato ishin dakorduar dhe pasi kishte konsensus se si të vazhdohet nga ana e BE-së. Kështu është edhe çështja e diskutimit për vlerësimin e situatës tani. Shtetet anëtare kurdo që e vlerësojnë se ka ardhur koha, do të marrin një vendim në atë se çka po ndodhë në veri të Kosovës dhe si duan të reagojnë në unitet dhe anonimitet”- shtoi ai.

Më tej, Stano ka thënë se Policia e Kosovës ka mandat për t’i hetuar sulmet që i janë bërë në Banjskë duke theksuar se BE-ja mbështetë PK-në dhe është në kontakte të afëta me ta.

“Kjo ka ndodhur në Kosovë, pra sigurisht që hetimi është kompetencë e Policisë së Kosovës me të cilët ne kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe i mbështesim. Policia është në kontakte të afërta me misionin tonë EULEX. Kushdo që mund të kontribuojë për të sqaruar se çka ndodhi, si ishin rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe kush po i ekzekutonte këto sulme brutale por edhe kush qëndron prapa tyre, çdo hyrje është e mirëpritur dhe e ripërsëris që presim bashkëpunim transparent dhe të plotë nga Serbia”- ka deklaruar Stano.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.