Basha: Viktima nuk mund të barazohet me agresorin

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, përmes një deklarate ka reaguar lidhur me aktakuzat ndaj prijësve të UÇK-së.

Basha në deklaratë ka thënë se lufta e UÇK-së ishte një luftë kundër një agresori dhe krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik që po i kryente Millosheviqi.

Basha tutje ka shtuar se është i bindur që edhe kësaj here akzuat do dalin të pabaza.

Tutje kreu i PD-së shkroi se UÇK pati në krah NATO-n sepse ishte e drejtë duke shtuar faktin që shqiptarët në Kosovë nuk i janë fshehur drejtësisë.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të kreut të PD-së, Lulzim Basha:

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.

Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.
Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.
Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore.
Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri”.