Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Avokatit Besnik Berisha i vazhdohet masa e sigurisë nga Gjykata e Ferizajt

Gjykata e Ferizajt ka marrë vendim me të cilin avokatit Besnik Berisha, i ka vazhduar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Përmes këtij vendimi, gjykata i ka vazhduar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve  Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu si dhe masën e arrestit shtëpiak të dyshuarit Ismet Salihu.

Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rivendosje, kurse tutje gjykata e shkallës së parë ka vendosur që të dyshuarit të qëndrojnë nën këto masa të sigurisë deri me datë 12 gusht.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Sahit Krasniqi i cili fillimisht e kishte caktuar këtë masë.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar avokati Fitim Shabani i cili në këtë procedurë është i autorizuar të përfaqësojë të dyshuarin Ismet Salihu.

I njëjti gjithashtu ka konfirmuar se Prokuroria ka parashtruar kërkesën për vazhdimin e këtyre masave, për të cilën gjykata pritet të vendosë të premten.

Ata ishin arrestuar nën dyshimet e prokurorisë për ushtrim të ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Sipas dosjes së prokurorisë që e kishte siguruar KALLXO.com, avokati Besnik Berisha dyshohet se kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja e prokurorisë thotë tutje se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës.