Avokati Gregory Kehoe në Hagë: Thaçi dënoi vrasjet dhe bëri thirrje për ta shuar dhunën

Në Dhomat e Specializuara të Hagës, ku po zhvillohet gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë pranuar si dëshmi deklaratat dhe fjalime të njërit prej ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit ku bënte thirrje të dënoheshin vrasjet dhe të shuhej dhuna në Kosovë.

Këto video iu shfaqën Sandra Mitchell, ish-vëzhguese e misionit të OSBE-së në Kosovë që po dëshmon në gjyqin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i Thaçit, Gregory Kehoe prezantoi video që përmbanin deklarata të Hashim Thaçit, duke i vënë ato në fokus të gjykimit. Në këto video, Thaçi dënoi krimet dhe vrasjet që janë kryer në Kosovë, duke përfshirë vrasjen e 14 serbëve më 14 korrik 1999.

Gjithashtu, gjatë gjyqit, u paraqitën edhe deklarata të tjera ku Thaçi dënon vrasjet në Reçak.

Avokati vazhdoi duke kërkuar nga gjykata prezantimin e deklaratave të tjera të Hashim Thaçit nga periudha e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Kemi deklarata për të shuar dhunën dhe për të pasur pajtim me të gjitha palët etnike. Presidenti Thaçi flet për njerëz që po lëndojnë civilët e pambrojtur këtë e ka bërë prej qershorit dhe tetorit”- tha mes tjerash Kehoe.

Sipas avokatit, Thaçi kishte bërë thirrje për një shtet-Kosovë multietnike.

Videot e transmetuara  më kërkesën e avokatit u pranuan si prova materiale nga ana e trupit gjykues.

Paraprakisht, gjykata ka pranuar si provë materiale edhe Rezolutën 1224 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.