Qeveria

Foto: Denis Sllovinja

Auditori: Paratë e shpenzuara për disa udhëtime zyrtare në ZKM nuk u arsyetuan me kohë

Vonesa në mbylljen e avanseve zyrtare ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për Zyrën e Kryeministrit.

Bëhet fjalë për udhëtime që kapin vlerën mbi 5 mijë euro.

“Nga mostrat e testuara të avanseve për udhëtime zyrtare në ZKM, në 3 raste kemi vërejtur se avanset e dhëna në shumën 5,351€ nuk ishin arsyetuar dhe mbyllur me kohë. Vonesat ishin nga 19 deri në 93 ditë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas ZKA-së,  kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së zyrtarëve për mbylljen me kohë të avanseve dhe aplikimit të dobët të llogaridhënies nga departamenti i financave ndaj zyrtarëve shfrytëzues të këtyre avanseve.

Auditori tutje thekson se mosmbyllja me kohë e avanseve rrit rrezikun që paratë publike të jenë përdorur në kundërshtim me qëllimet e synuara, rregullat e aplikueshme apo keqpërdorim eventual të parasë publike.

“Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë të gjithë zyrtarët që shfrytëzojnë avanse për udhëtime zyrtare, brenda 15 ditësh nga dita e kthimit nga udhëtimi, të barazohen me zyrtarin përkatës. Në të kundërtën, të aplikohen edhe ndalesat në pagë”, ka rekomanduar ZKA.

Neni 8 i Udhëzimit Administrativ 2004/07 për udhëtime zyrtare thekson se kërkesa për kompensim dhe për mëditjen së bashku me të gjitha dëshmitë e shpenzimeve duhet të dorëzohen tek shërbimi për buxhet dhe financa brenda 15 ditësh nga dita e përfundimit të udhëtimit zyrtar.