Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

OJQ-të përfituese nga fondet e Qeverisë për komunitetet pakicë, rasti po trajtohet edhe nga Prokuroria

Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), e kryeministrisë së Kosovës i ka dhënë shumicën e granteve, afër gjysmë milion euro të dedikuara për komunitetet pakicë, organizatave si “Forumi Shqiptar i Diasporës” dhe “Illyricum” të cilat nuk kanë dëshmuar të kenë lidhje me pakica në skandalin që po hetohet nga Prokuroria e Kosovës për abuzim me fonde publike. 

Dhjetëra organizata kanë përfituar nga Qeveria mijëra euro grante për komunitetet pakicë: serb, turk, boshnjak, goran, rom, ashkalinj dhe egjiptas.

Edhe në thirrjen e publikuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, ZÇK, të datës 31.05.2023, ishte theksuar se grantet janë për organizata që punojnë me komunitetet pakicë në Kosovë, kjo duket se nuk ka paraqitur problem për ZÇK-në që të jap grante për organizata të cilat nuk kanë punuar në këtë drejtim.

Për më tepër, edhe Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Albin Kurtit për çështje të komuniteteve, kishte dhënë dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, pikërisht për shkak të mënyrës se si janë shpërndarë këto mjete.

Anëtarë të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve kanë qenë Besart Tasholli, kryesues dhe njëkohësisht zyrtar i lartë ligjor në ZÇK; Qerim Berisha; Ekrem Ahmeti; Alutrim Dërmaku; Arben Elshani – anëtarë dhe Bleta Cana, anëtare rezervë.

Aktualisht Zyra për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka udhëheqës, prej dorëheqjes së Elizabeth Gowing, ndërsa në të punojnë gjashtë zyrtarë. Besart Tasholli, zyrtar i lartë ligjor; Sanela Sadikoviq, koordinatore; Rifadije Haxholli, zyrtare administrative; Bleta Cana, zyrtare e lartë e prokurimit; Leonora Hamiti, zyrtare për buxhet dhe Valon Llugaxhiu, zyrtar i lartë për koordinim dhe sigurim të granteve.

Më 08.03.2024 Zyra e Kryeministrit ka hapur konkursin për drejtor të ZÇK-së.

KALLXO.com ka analizuar organizatat që kanë përfituar paratë publike dhe ka gjetur se ka të tilla që kurrë më parë nuk kishin përfituar grante nga Zyra për Komunitete ngase nuk kanë të bëjnë me komunitete. Hulumtimi ka shpërfaqur parregullsi të tjera, si për shembull që i njëjti person ka përfituar grante me dy organizata të ndryshme, bashkë me vajzën e tij nga e njëjta thirrje e ZÇK-së që është hapur në maj 2023.

Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), në anën tjetër ka insistuar se asnjë organizatë që nuk ka përvojë me komunitetet, nuk ka përfituar grant, edhe pse faktet e tregojnë të kundërtën.

Thirrja në fjalë ishte publikuar më 31.05.2023 dhe ishte e ndarë në tre kategori.

Kategoria e parë e thirrjes së hapur përfshinte Organizata Jo-qeveritare, OJQ, që kontribuojnë në ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë; kategoria e dytë për mediat që kontribuojnë në Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave dhe interesave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe kategoria e tretë ka qenë për OJQ-të që kontribuojnë në promovimin e aktiviteteve kulturore në fushën e kulturës, traditës, gjuhës, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të pjesëtarëve të komuniteteve, duke përfshirë shënimin e ditëve të veçanta të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Përveç kritereve teknike, OJQ-të aplikuese është dashur të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i profilizuar në fushën përkatëse, pra të të drejtave të komuniteteve pakicë.

“Prioritet kanë OJQ-të dhe mediat jo vetëm që punojnë për komunitet, por që kanë bazë në komunitet” – bëhet e ditur në thirrje.

Organizatat përfituese

Nga 42 organizata jo-qeveritare përfituese të këtyre granteve, mbi 50% e tyre, pra gjithsej 25 janë OJQ që kurrë më parë nuk kanë përfituar grant nga Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), e cila ekziston prej vitit 2008 dhe funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

KALLXO.com ka kontaktuar të gjitha këto OJQ dhe vetëm 13 prej tyre kanë ofruar përgjigje në lidhje me projektin që kanë zhvilluar për interes të komuniteteve. Ato kanë ofruar fotografi dhe të dhëna të tjera rreth projektit të zhvilluar. Pra 29 organizata tjera nuk kanë pranuar të bëhen transparente lidhur me atë se çfarë programi për komunitetet jo-shqiptare kanë bërë me këto fonde publike të shtetit të Kosovës të dedikuara për pakicat në Kosovë.

Njëra prej këtyre organizatave që ka përfituar fonde të komuniteteve jo-shumicë është, “Forumi Shqiptar i Diasporës”. Kjo OJQ ka përfituar një grant prej 10 mijë eurove.

Sipas regjistrit zyrtar të OJQ-ve në Kosovë kjo organizatë fushëveprimtarinë e ka kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Pra, vetë emri i organizatës, të lë të nënkuptosh se kemi të bëjmë me diasporën shqiptare.

Por kjo OJQ ka përfituar grantin me temën “Fuqizimi i rolit të grave dhe të rinjve në ndërmarrësi tek komuniteti turk në Kosovë”.

Kur është pyetur se si ka qenë e mundur kjo, Sadat Baraliu, drejtor i kësaj organizate dhe profesor në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se nuk ‘kufizohen’ vetëm në fushëveprimtarinë e lartcekur.

“Me të parë thirrjen publike për aplikim dhe duke ditur se programet janë multikulturore dhe komunitetet joshumicë janë promotor i multikulturalizmit si vlera të një shoqërie demokratike ne kemi konsideruar se me realizim të këtij programi i kontribuojmë fuqizimit të një shoqërie të barabartë dhe më pas është komisioni vlerësues ai që ka analizuar, vlerësuar dhe aprovuar projektin tonë, projekt për të cilin jemi shumë të kënaqur me impaktin që ka dhënë në komunitet” – ka thënë Baraliu për KALLXO.com.

I njëjti nuk ka ofruar të dhëna për aktivitetet apo listën e pjesëmarrëseve, me arsyetimin se për këtë duhet të pyetet Zyra për Çështje të Komuniteteve.

Pasi që nuk kanë ofruar dëshmi për aktivitetet e tyre që lidhen me komunitete, KALLXO.com e ka analizuar faqen e tyre të Facebook dhe postimi i tyre i fundit për aktivitet ka qenë në prill 2022. Sipas postimit, kjo organizatë ka kryer projekte për trashëgiminë kulturore apo “rritja e aftësive profesionale tek të rinjtë”. Pra, as në rrjetin e tyre në Facebook, Forumi që e quan veten shqiptar, nuk ka postuar asnjë aktivitet me jo-shqiptar në emër të të cilit i ka marrë 10,000 euro fonde publike.

Organizata jo-qeveritare “Retina” është një tjetër organizatë që ka përfituar grant nga ZÇK. Kjo OJQ fushëveprimtarinë e regjistruar e ka për ‘Edukim, trajnim dhe rini’ dhe askund s’e ka të paraqitur që i përfshin komunitetet në aktivitete të tyre.

E njëjta organizatë nuk ka një faqe në Facebook apo një uebsajt, rreth punës dhe aktiviteteve të tyre.

“Retina” ka përfituar një grant prej 7 mijë eurove me temën “Ngritja e kapaciteteve te të rinjtë dhe gratë e komunitetit ashkali, lidhur me hartimin e projekteve dhe realizimin e procedurave për aplikim në fonde vendore dhe ndërkombëtare”.

“Retina” po ashtu nuk ka ofruar dëshmi për aktivitetet e zhvilluara si pjesë e këtij granti të marrë për pakica.

Ata thanë se nuk ofrojnë fotografi, listën e pjesëmarrësve apo çfarëdo informate tjetër rreth aktiviteteve të mbajtura, me arsyetimin se përbën shkelje të privatësisë, megjithëse kanë thënë se të gjitha të dhënat rreth aktiviteteve i kanë dorëzuar tek donatori, konkretisht ZÇK.

Një tjetër organizatë që ka përfituar grant dhe nuk ka pasur përvojë më herët me komunitete është edhe organizata “Adresa”.

Shuma e përgjithshme e grantit të përfituar është 10 mijë euro, kurse tema ka qenë “Përgatitja e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas për tregun e punës”.

Detjan Hulaj, përfaqësues i OJQ “Adresa” ka thënë se janë themeluar në vitin 2021 dhe se projekti ka qenë për rini dhe trajnime.

“Në thirrjen publike dhe në udhëzuesin e thirrjes ka qenë e specifikuar që të drejtë aplikimi kanë edhe organizatat në komunitet dhe jo domosdoshmërisht organizata të jetë nga radhët e komuniteteve. Gjithsesi, organizata jonë fushëveprimtari e ka rininë dhe trajnimet dhe projekti ka qenë për fushën e trajnimeve për komunitete dhe përfitues të projektit kanë qenë të rinjtë të komuniteteve në komunën e Deçanit” – ka thënë Hulaj për KALLXO.com.

Hulaj nuk ka ofruar të dhënat rreth listës së pjesëmarrësve apo fotografi nga aktivitetet.

Një tjetër organizatë që ka përfituar grant nga Zyra e Komuniteteve është edhe Grupi Lokal i Veprimit “Natyra”.

Shuma që kjo organizatë ka përfituar është 10 mijë euro.

Udhëheqësi i kësaj organizate, Ejup Ismajli ka thënë se organizata edhe më herët ka përfituar grant nga ZÇK.

“Organizata jonë punon krahas fushave të lartcekura. Edhe në të kaluarën është angazhuar dhe ka implementuar projekte të cilat kanë përfshirë komunitetet pakicë që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë” – ka thënë ai.

Projekti që kjo organizatë ka përfituar grant, ka pasur për temë “Fuqizimi dhe përfshirja e grave të komuniteteve RAE në tregun e punës”.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna shtesë nga kjo organizatë për listën e pjesëmarrësve apo fotografi të aktiviteteve, por Ismajli ka thënë se për këto të dhëna duhet të pyetet ZÇK-ja.

Sipas publikimeve në rrjetin social Facebook, kjo organizatë ka përvojë me projekte me komunitetet pakicë, por përvoja e tyre ka të bëjë edhe me turizmin malor apo të tilla si “Hartimi i Strategjisë Zhvillimore Lokale”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe organizata të tjera që janë përfituese të këtij granti siç janë Shoqata Dazan; Vullnetarizmi në Kosovë; Environment Plus; Llogaritari; Besa e Skautëve, Omculti, Qendra për politika hulumtuese, Changes Lab Kosova, Woman World Today and Now, AAKV Ulpiana, Illyricum; Nexus; Professional Upgrade, Lule&Diell, Iniciativa për Zhvillim të Demokracisë apo Edukimi për personat në nevojë.

Të gjitha këto 14 OJQ, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Po ashtu, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve është kërkuar edhe dosja e aplikimit të secilës organizatë, për të parë se si kanë dëshmuar përvojën e mëhershme për punë me komunitete, por ZÇK nuk ka ofruar qasje, me arsyetimin se duhet leje paraprake nga secila organizatë. Ata kanë qenë të gatshëm që të ofrojnë qasje vetëm “për t’i parë” dosjet, e jo për të pasur qasje në to.

Për këtë, KALLXO.com ka dërguar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), si organ mbikëqyrës i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Por pas më shumë se një muaji trajtim të ankesës, AIP më 05.03.2024 ka refuzuar ankesën e KALLXO.com, me arsyetimin se në dosje gjendet dhe programi i punës i OJQ-ve, apo kemi të bëjmë me pronësi intelektuale të caktuar të OJQ-ve.

I njëjti person përfiton grante me dy organizata të ndryshme

Fehmi Bajraktaraj, bashkë me gruan dhe vajzën e tij, Hidajete dhe Marigona Bajraktaraj, të tre bashkë janë themelues të dy organizatave të ndryshme, sipas regjistrit të OJQ-ve në Kosovë.

“Lule&Diell” dhe “Iniciativa për Zhvillim të Demokracisë” janë organizata që janë themeluar nga familja Bajraktaraj dhe që të dyja kanë përfituar grante nga Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) nga e njëjta thirrje e hapur në maj 2023.

Fehmi Bajraktaraj si drejtor i “Iniciativa për Zhvillim të Demokracisë” ka përfituar grant prej 6,500 euro me temën “Pjesëmarrja në vendimmarrje të rinjve të komunitetit egjiptian”.

Ndërsa Marigona Bajraktaraj si kryetare e “Lule&Diell” ka përfituar 6 mijë euro me temën “Punë praktike për të rinjtë e komunitetit Rom në zdrukthëtari”.

Familja Bajraktaraj është shqiptare.

KALLXO.com ka kontaktuar me Fehmi Bajraktarajn për ta pyetur rreth kësaj çështjeje, por i njëjti edhe pse ka thënë se do të përgjigjet, deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Pyetjeve përmes emailit dhe thirrjeve telefonike nuk i është përgjigjur as vajza e tij, Marigona Bajraktaraj.

Ndërsa Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), ka thënë se ka qenë e pamundur për komisionin që të vlerësoj lidhjet familjare. Sipas tyre, komisioni vlerëson cilësinë e aplikacionit dhe dokumentacionin në bazë të kritereve të Rregullores së Financimit të organizatave.

“Në Certifikatën e regjistrimit të Organizatave Jo Qeveritare e cila ishte njëra ndër kriteret e kësaj Thirrje Publike shkruan vetëm data e themelimit dhe emri i organizatës dhe jo i themeluesit andaj për komisionin ka qenë, është dhe mbetet e pa mundur që të vlerësoj lidhjet familjare” – kanë thënë nga ZÇK.

Në ndërkohë kjo rregullore nuk e përcakton se a ka të drejtë një person përmes dy organizatave të ndryshme të përfitojë fonde publike.

Në të njëjtën kohë Fehmi Bajraktaraj bashkë me gruan e tij Hidajete Bajraktarajn janë pronarë të një biznesi me emrin “New-Line”. Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), aktivitet primar ky biznes e ka prodhimin e mobiljeve, aktivitet sekondar e ka tregtinë me shumicë të artikujve ushqimorë, pijeve dhe duhanit, por që aktivitet tjetër të regjistruar e ka edhe tregtinë me pakicë të bukës, produkteve prej mielli apo produkteve të sheqerit.

Fehmi Bajraktari vetë është pronar edhe i një kompanie tjetër me emrin “Bajraktari Com”, i cili biznes ka aktivitet primar “tregtinë me shumicë të produkteve të qumështit, vezëve, vajrave dhe yndyrnave të gatimit”.

Në të kaluarën, Bajraktaraj nëpër media është përmendur se përmes biznesit të tij ka fryrë çmimet e furnizimeve përmes një tenderi me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të riatdhesuarit në Kosovë. As në lidhje me këto pretendime, Bajraktaraj nuk ka kthyer përgjigje edhe pse ka premtuar se do ta bëjë një gjë të tillë, kur KALLXO.com e ka kontaktuar më 11.03.2024.

Organizatat që punojnë me komunitetet kritikojnë mënyrën se si u shpërndanë grantet

Organizata jo-qeveritare të shoqërisë civile të komuniteteve pakicë si boshnjak, turk, ashkali, egjiptas, rom apo serb, kanë kritikuar mënyrën se si u shpërndanë grantet e Zyrës për Çështje të Komuniteteve (ZÇK), që në parim do duhej të ishin për organizata të komuniteteve pakicë.

Berzat Berzati, aktivist i shoqërisë civile mbi 20 vite nga komuniteti boshnjak, i cili punon në portalin Kosova Info në gjuhën boshnjake, ka thënë se ka kohë që nga ZÇK-ja shpërndahen grante për OJQ të panjohura, sipas tij.

Pasi ka parë listën e përfituesve, Berzati për KALLXO.com ka thënë se shumica e OJQ-ve nuk kanë lidhje me komunitetet.

“Grante nga ZÇK-ja kanë marrë kryesisht komuniteti shqiptar. Shumë pak organizata nga komuniteti boshnjak apo komunitetet e tjera kanë përfituar grante”- tha Berzati për KALLXO.com.

“Mendoj se Zyrën për Komunitete duhet ta udhëheqë një pjesëtar nga komuniteti jo-shumicë, edhe ai person duhet me pas njohuri për komunitetet jo-shumicë në vendin tonë”- shtoi Berzati.

Ndërsa nga organizata “Voice of RAE”, e cila merret me të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, kanë thënë se nga lista që e kanë parë, në bazë të përvojës së tyre vetëm organizata “Prosperiteti”, është organizatë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas që gjithë kohën është marrë me aktivitete për këto tri komunitete.

“Ndërsa organizatat tjera nuk janë të njohura për ne që punojnë në drejtim të këtyre komuniteteve”- ka thënë Isak Skenderi nga “Zëri i RAE”.

Suer Celina është pjesëtar i komunitetit turk. Ai e udhëheq organizatën “Prizma Medium”, me bazë në Prizren. Kjo organizatë publikon artikuj në dy gjuhë, gjuhën turke dhe atë shqipe.

Celina ka thënë se përveç “Kosovahaber”, nuk ka pasur njohuri për asnjë organizatë tjetër nga komuniteti turk, që ka përfituar grant nga ZÇK.

“Sa e shoh unë, ka vetëm një organizatë në listë që ka punuar me komunitetin turk. Kosovahaber është një portal që raporton lajmet në gjuhën turke dhe kryesisht gjenden lajmet e përkthyera. Unë nuk e njoh asnjë organizatë tjetër nga kjo listë” – tha Celina për KALLXO.com.

Ndërsa gazetari serb nga Kosova, Bane Krstiq, ka thënë se nga lista prej 50 organizatave dhe mediave, vetëm dy prej tyre i ka njohur si të tilla që njëmend punojnë me komunitetin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se, sipas tij, lista na shpjegon që në Zyrën për Komunitete ka njerëz që nuk e kuptojnë komunitetin serb në shtetin e Kosovës.

“Tash pse ZÇK veç dy grante për pakicën serbe, ajo është pyetje për atë”- tha Krstiq.

Sipas Krstiq, gazetar serb që ka punuar për B92 e Reuters, në veri të Kosovës ka pasur mungesë totale të informimit për këtë thirrje të hapur, asnjë zyrtarë i shtetit të Kosovës nuk ka shkuar sipas tij në veri të vendit të shpjegojë se për çka janë këto fonde.

“Rasti i shpërndarjes së këtyre granteve ka qenë momenti kryesor për qeverinë e Kosovës të mbështesë aktivistët opozitarë dhe OJQ-të opozitare në veri të vendit, por kjo nuk është bërë”- tha Krstiq.

Ai ka pasur “kritika” edhe për organizatat në veri të vendit, duke thënë se viteve të fundit nuk është që ka pasur ndonjë hulumtim apo çasje kritike.

“Është e kuptueshme që kemi pasur një atmosferë tepër të rëndë në veri të vendit, por nëse jeni OJQ, i pavarur, keni edhe përgjegjësi. Mua më duket se shumica e OJQ-ve në veri të vendit nga ata nuk kanë qenë edhe aq të dobishme për komunitetin”- tha ai.

Kritika për OJQ-të përfituese ka pasur edhe Dusan Radakoviq, po ashtu aktivist i shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Radakoviq ka thënë se 99% të OJQ-ve që kanë përfituar grante, nuk i ka njohur, edhe pse sipas tij, në sektorin e OJQ-ve në Kosovë ai është që nga viti 2002.

“Unë jam dikush që jam në sektorin e OJQ-ve në Kosovë që nga viti 2002 dhe mund të them se di shumë për këtë sektor, por kurrë nuk kam dëgjuar për këto OJQ”- ka thënë Radakoviq.

“Përderisa ky konkurs është zhvilluar në këtë mënyrë, është thjesht një tregues i shkëlqyer se sa respektohen të drejtat e komuniteteve. Ky është një turp dhe turp për vetë qeverinë që të mbështesë OJQ të tilla anonime në Kosovë”- shtoi Radakoviq.

Ai ka thënë se sipas listës që ka parë, vetëm dy organizata mediale i ka njohur që janë të komunitetit serb. “RTV Puls” nga Shilova dhe “RTV Mir” nga Leposaviqi.

Ndaj mënyrës se si janë shpërndarë subvencionet e Qeverisë së Kosovës përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve për organizata joqeveritare nga radhët e komuniteteve pakicë, kishte reaguar edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, duke thënë se këto subvencione janë shpërndarë për organizata të panjohura dhe të dyshimta.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Rexhepi kishte thënë se i njëjti problem me subvencionet për komunitete ka qenë edhe gjatë vitit të kaluar.

“Të njëjtin problem e kishim edhe vitin e kaluar kur u shpërndanë më shumë se 1 milion e 500 mijë euro, gjithashtu pothuajse të gjitha OJQ-të shqiptare dhe organizatat e panjohura shumë të dyshimta morën grante të mëdha. Pastaj kërkova që të anulohet dhe rishpallet konkursi për komunitete por nuk u bë asgjë. Tani gjysmë milioni shkuan përsëri në organizata të panjohura, të dyshimta, që është shumë e gabuar”- ka thënë Rexhepi.

Në anën tjetër Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) ka thënë se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete.

Sipas tyre, nga opinionet ligjore që kanë kërkuar, është theksuar se “se nuk është shkelur Rregullorja mbi Financimin e OJQ-ve”.

“Pas vlerësimit të kërkesës së këshilltares së jashtme të Kryeministrit, ne kemi kërkuar opinione ligjore nga zyra ligjore por edhe nga MF që e ka hartuar këtë Rregullore. Në dy opinionet që kemi marrë është theksuar se nuk është shkelur kjo Rregullore”- kanë thënë nga ZÇK.

Në total nga kjo Thirrje e Qeverisë së Kosovën kanë përfituar 50 organizata, duke përfshirë aty edhe media lokale. Shuma totale e grantit që është shpërndarë për këtë thirrje është 404 mijë e 100 euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është duke e trajtuar mënyrën se si janë shpërndarë këto grante nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Lidhur me këtë çështje, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë të njëjtën e ka në trajtim dhe është duke u proceduar në pajtim me dispozitat ligjore”- ka thënë zëdhënësja Laureta Ulaj.

Po ashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se ZÇK-ja nuk është audituar ndonjëherë veçmas, por auditimi i saj përfshihet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Aktualisht ZÇK është duke u audituar për një projekt tjetër në vlerë 12 mijë euro.