Kurti takoi mbrëmë deputetë pjesëmarrës të konferencës ndërkombëtare parlamentare “E ardhmja e transportit”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka qenë pjesë e darkës në kuadër të konferencës parlamentare ndërkombëtare me temë “E ardhmja e Transportit” të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, dhe me mbështetje të fondacionit gjerman Friedrich Erbert Stiftung.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka informuar deputetët për projektet e qeverisë në fushën e transportit dhe energjisë, me theks të veçantë investimet në ndërtimin e hekurudhës që do të lidh Prishtinën me Durrësin dhe projektet për diversifikimin e resurseve energjetike.

“Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë në fushën e arsimit, kryeministrit Kurti gjithashtu i njoftoi deputetët rreth sistemit dual të arsimit që ka filluar së aplikuari në Kosovë. Synimi është lidhja e arsimit me ekonominë dhe arsimit profesional me tregun e punës në mënyrë që të përgatisim rininë për tregun e punës” – thuhet në njoftim.

Të pranishëm në darkë ishin deputetë nga Gjermania, Portugalia, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.​