Auditori ngrit alarmin - Disa shkolla nuk kanë kushte minimale të mirëmbajtjes

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se institucionet publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në tri komuna: Prishtinë, Vushtrri dhe Ferizaj nuk kanë siguruar mirëmbajtje të duhur për shkollat e tyre.

Zyra Kombëtare e Audimit këtë të gjetur e ka paraqitur në auditimin e performancës “Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore”, ku ka thënë se shkollat e këtyre qyteteve nuk ofrojnë kushtet elementare për zhvillimin e procesit mësimor.

ZKA në këtë raport ka bërë të ditur se për të vlerësuar për së afërmi menaxhimin e mirëmbajtjes, kanë përzgjedhur 18 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, dukë përfshirë Prishtinën, Vushtrrinë dhe Ferizajn.

“Nga 18 objektet shkollore që kemi vlerësuar, vetëm shtatë (7) prej tyre janë në nivel mesatar dhe më të pranueshëm për zhvillimin e aktiviteteve mësimore. Katër (4) objekte shkollore kishin siguruar kushtet minimale të mirëmbajtjes mirëpo nuk ishin në nivel të mjaftueshëm. Përderisa, në shtatë (7)objekte shkollore kemi identifikuar mangësi të theksuara në furnizimin me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen vjetore të mureve dhe dezinfektimin e tyre”, thuhet në raport.

Tutje ZKA ka gjetur mangësi edhe në sigurimin e inventarit, sigurimin e gjendjes së mirë të nyjeve sanitare, ajrosjen e objektit dhe ventilimin e tualeteve, si dhe sipas tyre mungon sigurimi i pastërtisë në nivel të pranueshëm të dyshemesë, inventarit dhe tualeteve.

ZKA ka listuar në këtë raport edhe arsyet pse menaxhimi i mirëmbajtjes nuk është në nivelin e duhur në shkollat e këtyre komunave.

“Së pari, institucionet qendrore dhe lokale nuk kanë arritur që të koordinojnë, të mbikëqyrin dhe të delegojnë detyrat rreth inspektimeve që duhet kryer në nivele të ndryshme dhe nuk kanë hartuar infrastrukturë të plotë ligjore”, thuhet në raport.

Kurse, arsyeja tjetër sipas tyre është se nuk janë realizuar aktivitetet e duhura brenda institucioneve shkollore për sigurimin e kushteve dhe shërbimeve të mirëmbajtjes.

“Menaxhimi i mirëmbajtjes ka qenë sfidues për shumicën e shkollave, planifikimi i aktiviteteve dhe ndërmarrja e masave për të siguruar shërbime të mira të mirëmbajtjes nuk ka qenë në nivel të duhur. Ka raste kur problemet janë identifikuar tek ndërtimet e reja, cilësia e ndërtimit ka qenë në nivel jo të kënaqshëm dhe qysh në funksionalizim ka pasur nevojë për intervenime urgjente. Mirëmbajtja sezonale dhe e rregullt në përgjithësi nuk është realizuar në nivel të duhur për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet tutje.

ZKA ka bërë të ditur se për të vlerësuar menaxhimin e mirëmbajtjes në institucione arsimore kanë audituar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Drejtoritë Komunale të Arsimit në tri komuna: Prishtinë, Vushtrri dhe Ferizaj.

Ky instuticioni ka rekomanduar që hapësirat publike të objekteve shkollore të mirëmbahen në vazhdimësi për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushtet bazike mësimore.

“Instuticionet shkollore të sigurojnë kushte të përshtatshme dhe elementare për zhvillimin e procesit mësimor, të organizojnë mirëmbajtjen sezonale dhe rutinore duke shfrytëzuar në mënyrë racionale resurset teknike dhe njerëzore me qëllim të përmirësimit të kushteve për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në fund është thënë se instuticionet e përfshira në auditim janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditimit.

KALLXO.com kishte raportuar se Shkolla Ekonomike dhe Juridike ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ në kryeqytet është e rrethuar me mbeturina.

 

Pamje – Shkolla Ekonomike në Prishtinë deponi e bërllokut

Ndërsa, në vitin 2013 ishte bërë një reportazh për mirëmbajtjen e disa shkollave të Kosovës.

Mosmirëmbajtja e Shkollave Shkakton Rregullisht Miniepidemi

www.kallxo.com