Auditori i Përgjithshëm raporton për përformancen e ZKA-së në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani sot ka prezantuar raportin vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2019  para deputetëve në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike.

Osmani theksoi se numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje të dukshme nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11% të auditimeve të ZKA-së.

“Kemi përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit, prej të cilave, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje të dukshme nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11% të auditimeve të ZKA-së. Auditimi i Ndërmarrjeve Publike (NP) ka filluar në sezonin auditues 2016/17, me vetëm 4 sosh dhe tani kemi arritur në 14 NP të audituara këtë sezon përfshirë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit për auditimet e  Ndërmarrjeve Publike në fushën e  telekomunikacionit”, citohet të këtë thënë Osmani, sipas njoftimit të ZKA-së.

Sipas komunikatës së ZKA, Osmani tha se ka një rritje të dukshme të numrit të certifikimeve profesionale të auditorëve dhe  shtrirje më të madhe të bashkëpunimit edhe me Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e Evropës dhe më gjerë.

Osmani më tej, theksoi se një ndër të arriturat e rëndësishme, që e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019, është anëtarësimi me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e që kjo përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të vendit.

Ai deklaroi se me angazhim serioz të të gjitha palëve, rezultatet e auditimit kanë vetëm një qëllim dhe ato do të shndërrohen në shërbime më të mira për qytetarët.

Nga ana tjetër Kryetari i Komisionit, Bedri Hamza dhe anëtarët e Komisionit, kanë vlerësuar pozitivisht punën dhe kanë shprehur mbështetje të pa rezervë në sigurimin e pavarësisë funksionale dhe financiare për Zyrën Kombëtare të Auditimit.