Si përfundoi i punësuar në RTK personi që e auditoi këtë institucion?

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, në debat në KALLXO.com ka thënë se ky institucion është audituar vetëm një herë dhe sipas tij personi përgjegjës në auditim është ‘shpërblyer’ pastaj me një vend pune në RTK.

Sipas Hoxhës, raporti i vitit 2015 për RTK-në kishte qenë shumë i zbehtë.

“Në RTK, Auditori Gjeneral ka auditu vetëm një herë, në vitin 2015, e ka audituar perfomancën. Në atë kohë Kuvendi pritke që në bazë të raportit të Auditorit të vendos nëse do ta shkarkojë bordin, u publikua një raport i zbehtë dhe pasi kaluan disa muaj po e shoh auditorin në RTK, një koleg më tha që është koleg i ri, dhe ai auditor sot është shef i njësisë së auditimit të brendshëm, sot e kam koleg”, tha ai.

 

Tutje Hoxha ka treguar se ‘përvojat’ e RTK-së me Auditorin nuk kanë qenë të mira dhe nga auditimi i vitit 2019 nuk është publikuar asnjë raport.

“Në fund të vitit 2019, Auditori Gjeneral nis auditime në RTK dhe bajagi zgjat kjo, në ndërkohë RTK-ja kish nis nifar hulumtimi me u marrë me perfomancë të zyrës së Auditorit. Auditori e thotë publikisht në intervistë që po pengohet për shkak që ka dashtë me i auditu edhe pasqyrat financiare, tash u bënë gati dy vjet dhe s’ka raport”, tha ai.

Të gjitha palët e përmendura në emision janë kontaktuar nga KALLXO, por asnjë nuk është përgjigjur deri në momentin e transmetimit të emisionit.