Vlora Spanca, Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit

Pas kërkesës së auditores, Kuvendi ia zvogëlon pagën nga 3,800 në 2,800

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim vendosi për uljne e pagës së auditorit të përgjithshëm

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja arsyetoi raportin e këtij komisioni.

“Auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës i caktohet paga mujore bruto 2800 euro, ky vendim hyn në fuqi pas miratimit të deputetëve”, tha ai.

Deri në marrjen e këtij vendimi, auditorja është paguar 3 mije e 800 euro bruto.

Ai shtoi se grupi parlamentar i LVV-së ka mbështetur kërkesën e auditores për ulje të pagës dhe inkurajoi edhe zyrtarët e tjerë publik të veprojnë njëjtë.

“Paga ka qenë 3800 euro me shtesa dhe auditorja e re ka kërkuar që ti ulët asaj paga sepse ka menduar që është në interes edhe për shkak të parimit të ri të mirëqeverisjes dhe të buxhetit të auditorit dhe ne kemi mbështetur këtë propozim”, shtoi ai.

Auditorja e përgjithshme Vlora Spanca kishte kërkuar zvogëlimin e pagës për një mijë euro.

Grupi parlamentar i LDK-së e ka mbështetur këtë vendim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se vendimi përbëhet nga katër pika: auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës i caktohet paga mujore bruto në shumën 2800 euro, niveli i pagës së auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës sipas pikës 1 të këtij vendimi zbatohet deri në miratimin e ligjit përkatës që rregullon pagat e funksionarëve të lartë publik, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi numër 05321 i datës 17 qershor 2015 dhe ky vendim hyn në fuqi ditën e miratimit.

Auditorja e Përgjithshme kërkon që t’i zbritet paga nga 3800 në jo më shumë se 2800 euro