Mosmirëmbajtja e Shkollave Shkakton Rregullisht Miniepidemi

Mungesa e higjienës në WC-të e shkollave të vendit, që shpërfaqet edhe në një reportazh të Gazetës Jeta në Kosovë, po shkakton mini-epidemi të rregullta tek nxënësit sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. 

Filmimi është kryer në muajt maj dhe qershor. Përderisa shkollat përgatiten që nxënësit të rikthehen në mësim në gjysmëvjetorin vjeshtor, institucionet arsimore do të duhej të rregullonin këto kushte duke shmangur pasojat në shëndetin e fëmijëve.

Në shkollën fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri nuk funksionojnë si duhet gypat e ujit, qeramikat janë të vjetruara dhe të papastra, guacat e WC-ve janë tejet të papastra, e po ashtu kundërmon erë shumë e rëndë.

Gjithashtu “Shkolla e Mesme e Ulët në Vushtrri”, ndonëse shkollë e re e ndërtuar në vitin 2009, ka probleme të mëdha me mosfunksionimin e WC-ve. Shumica e WC-ve qëndrojnë të mbyllura. Madje edhe muret e objektit kanë filluar të çahen.

Shkolla fillore “Ukshin Miftari” në Skivjan të Gjakovës ka problem me mirëmbajtjen e WC-ve dhe të objektit në përgjithësi. Madje në njërën nga klasat shihen edhe tela të zhveshur të rrymës, gjë që paraqet rrezik direkt për jetën e nxënësve.

Shkolla “Mihal Grameno” – Rahovec

WC-të në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Rahovec nuk kanë aspak kushte për përdorimin e tyre. Aty kundërmon erë. Madje ato nuk kanë as dyer.

Edhe shkolla fillore “Thimi Mitko” në Gjilan po ashtu e ka gjendjen e vështirë të mirëmbajtjes së WC-ve.

Prishtina si kryeqytet, ka probleme të tilla. Gjendja e WC-ve në ish-Shkollën Teknike, e cila tash shfrytëzohet nga Gjimnazi Sami Frashëri, është e dobët. Dallimi mes WC-ve të arsimtarëve dhe nxënësve është shumë i madh.

Ish shkolla tenike, tash “Sami Frashëri” – Prishtinë

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Naser Ramadani, ka fakte që nga mosmirëmbajtja e higjienës në shkolla, vjen deri te sëmundjet, siç është sarillëku, zgjeba (ose zhuga siç njihet në popull) dhe sëmundja e morrave.

“Nga mosplotësimi i kushteve higjienike janë dy mini-epidemi që mund të shihen në shkollat tona vazhdimisht, që janë barkçitja, hepatiti A ose sarillëku, zhuga siç thuhet në popull, dhe sëmundja e morrave”, thotë Ramadani.

Për gjendjen nëpër shkolla, zëvendësministri i Arsimit (MAShT), Nehat Mustafa, në debatin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’ thotë se mirëmbajtja e shkollave është përgjegjësi e komunave.

“Kjo nuk ka të bëjë me politikat e Ministrisë së Arsimit dhe kjo mund të kërkohet tek menaxherët e komunave dhe te Drejtoritë komunale të komunave”, thotë ai.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, nuk e konteston përgjegjësinë e komunave që kanë për mirëmbajtje, por thotë se nuk po u mjafton buxheti për ato përgjegjësi, sikurse që tregohet vetëkritik, duke thënë se edhe menaxherët e shkollave duhet ta menaxhojnë më mirë buxhetin e shkollave.

Asociacioni kritikon Ministrinë e Financave, e cila sipas tij, e ka shfuqizuar një vendim të 15 prillit për 31 milionë euro grantet specifike për komunat në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, duke i zvogëluar ato. Ballafaqimin e këtyre institucioneve mund ta përcillni të plotë këtu. 

Disa janë më mirë – me vetëkontribut

Për dallim, shkolla fillore “Tetë Marsi” në Pejë gjendjen e WC-ve e ka më mirë, falë kontributit të prindërve. 

Kjo shkollë është vetë organizuar dhe ka mbledhë fonde për sajimin e dëmeve në këtë shkollë. Madje nxënësit e kësaj shkolle e kanë për obligim që në çdo fundvit të paguajnë nga 2 euro, kurse nxënësit e klasave të nënta duhet t’i paguajnë nga 5 euro.

Shkolla “8 Marsi” – Pejë

Kryetari i Këshillit të kësaj shkolle, Gazmend Muhaxhiri, thotë se me lejen e prindërve e ka organizuar grumbullimin e fondeve.

“Me iniciativë, me prindër të bashkësisë lokale ‘Haxhi Zeka’ kemi mbledhë diku rreth 11 mijë euro dhe i kemi rregulluar WC-të e shkollës në katin e dytë, që nuk kanë qenë aktive gati 20 vjet”, thotë Muhaxhiri.

Ai kritikon Drejtorinë e Arsimit në Pejë, e cila sipas tij, për mirëmbajtjen e krejt shkollave ka ndarë 67 mijë euro, ndërsa për mirëmbajtjen e automjeteve janë ndarë 97 mijë euro. 

Ndarja kësisoj e buxhetit, sipas Muhaxhirit, tregon se sa janë të interesuar për përparimin e shoqërisë dhe për mirëmbajtjen.

Por drejtori për Arsim në komunën e Pejës, Smajl Shala, thotë se komuna ka mjete për mirëmbajtje, kurse grumbullimin e fondeve e sheh si çështje vullnetare.

“Ai ka qenë vullnet i këshillit të prindërve, do të thotë bordit të shkollës dhe kryetarit të këshillit të prindërve. Komuna ka buxhet për renovimin e tyre”, thotë Shala.

Edhe drejtori i shkollës “Tetë Marsi”, Hidaverdi Spahija, e pranon se pagesat për dëmet e shkollës i bëjnë nxënësit.

“Dy euro kemi vendosur që t’i paguajnë nxënësit prej klasës 1 deri në 8, kurse 5 euro si obligim e kanë pasur klasat e nënta, për shkak që janë bërë dëme të shumta në inventarin e shkollës si dhe në infrastrukturën përcjellëse”, thotë Spahija.

Drejtoria për Arsim në Komuna e Pejës, për investime kapitale për këtë vit ka ndarë 362 mijë euro, kurse për shkollën “Tetë Marsi” për ‘mallra dhe shërbime’ i ka ndarë 11 mijë e 608 euro.

Ka gjithashtu shkolla të cilat janë shembull për mirëmbajtje. Në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë pastërtia mirëmbahet shumë mirë. Ndoshta për shkak që është objekt i ri.

Shkolla “Hajdar Dushi” – Gjakovë

Po ashtu edhe në shkollën e re në Lagjen II në Gjilan, mirëmbajtja e WC-ve duket shumë e mirë. Edhe kjo shkollë e ka objektin e ri.