Këshilli i Etikës i UP-së merr vendim për profesorin Xhevat Krasniqi që u raportua për ngacmim seksual

Pasi nuk morën vendim në mbledhjen e datës 22.04.2024, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot (23.04.2024) në lidhje me profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Se kanë marrë vendim e kanë konfirmuar dy anëtarë të KE-së, Arben Hajdari dhe Skender Muji.

Këshilli i Etikës i UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

KALLXO.com në bisedë me Hajdarin dhe Mujin ka insistuar të kuptojë nga ta se cili është ky vendim i tyre ndaj profesorit Krasniqi, mirëpo ata kanë refuzuar ta tregojnë atë.

Ata kanë thënë se vendimin do të publikojnë Rektorati i UP-së.

“Unë mendoj që del tash zyrtarisht vendimi që është marrë kështu që nuk jam i autorizum me thënë asnjë gjë tjetër, besoj që shpejt del lajmi, lajmi zyrtar kur del prej Rektoratit” – ka thënë Hajdari.

“Po, zyrtarisht ka ngel menaxhmenti i UP-së me publiku (vendimi i KE-së). Na e kena marrë një vendim tashti menaxhmenti e bën publike” – tha Muji.

Ky vendim i KE ndaj Krasniqit vjen pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.

Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në anën tjetër, më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, janë shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.

Ky aksion është vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkojnë me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.

Në mbledhjen e KE-së të datës 22.04.2024, Krasniqi ka dëshmuar para anëtarëve të KE, mirëpo ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim.

Kjo revoltoi aktivistët që më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.

Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës ka larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.

Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.

Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

Xhevat Krasniqi pasi ka përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.

Për një studente, Krasniqi tha se në protestë është shpreh që “m’ka ngacmu” mirëpo sipas tij “nënshkrimin s’e ka fare në ankesë”.

Rreth shprehjes e cila është deklaruar nga 27 studentet e Mjekësisë se Krasniqi i ka pyetur se “çka ki nën fustan?”, ai ka thanë se i pyet pasi dyshon se kopjojnë.

“M’pyesin – Ai ke thanë ti studentes çka ki nër fustan?, kurrë s’e kam thanë. Ka ndodhë – çka ki aty, e qet telefonin, t’u kopju. Krejt këmbët i shkruajnë me formula të matematikës, edhe duart” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur rreth gjashtë profesorë të Matematikës që kanë ligjëruar më herët në Mjekësi. Këshilli i Etikës e ka pyetur se cilët janë arsyet e largimit të këtyre profesorëve, sipas tij.

“Në mesin e tyre një profesor që ka qenë kogja gjatë aty, vjen në një pozitë që studentët i pytë me detyra të klasës pestë. Kot është sepse ata dojnë m’i vendos notat veç qysh dojnë ata” – ka deklaruar Krasniqi.

Këshilli i Etikës e ka pyetur se a mund të konstatohet pretendimi i tij se kjo është një fushatë për largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.

Këshilli i Etikës ka vazhduar ta pyesë se a ka pasur studentë tjerë prezentë kur pretendohet se është thënë fjala “masazh” ndaj nji studentje nga ana e tij.“Po çfarë masazhe po flitet aty, po na e kem detyrë zyrtare. Në asnjë mënyrë, aty thotë, njihere jena kanë vetëm, tani dalim dy-tre dëshmitarë. Në asnjë mënyrë s’ka ndodhë ajo hiç” – tha Krasniqi.

Më tej, nga Këshilli i Etikës thanë se kanë parë disa vlerësime të performancës së tij si profesor që u ka sjellur Fakulteti i Edukimit dhe se për Degën e Farmacisë në Mjekësi, nga ku është raportuar për ngacmim, ai u kishte premtuar se do t’i sjellte raportet e vlerësimit të studentëve.

Krasniqi tha se nuk e ka dëgjuar se do t’i sillte raportet e vlerësimit të studentëve të Farmacisë. Artikullin e plotë rreth deklarimit të Xhevat Krasniqit mund ta lexoni KËTU.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre tri studenteve, në “Kallxo Përnime” më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, më 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Aktivistët nga data 03.04.2024 me protestat gjithëditore kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, për shkak të denoncimit për ngacmim seksual.

Protesta e mbajtur të mërkurën, 17.04.2024, është protesta e tyre e gjashtë. Ndërsa, në protestën e fundit, më 11.04.2024, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së, ata u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.

Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studente i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.