Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale: Haxhiu t’i përmbushë obligimet e jo të sulmojë e linçoj

Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale përmes një komunikate kanë shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për ndalimin e zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë për keqpërdorim detyre.

Të premten, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Dy zyrtarët, me inicialet V.M dyshohet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, edhe pse e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë.

Të premten Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se më 13 korrik të këtij viti përmes një shkrese zyrtare, i ka njoftuar personat përgjegjës që personi që është caktuar menaxher i rastit për viktimën 11 vjeçare, nuk ishte i licencuar nga ana e MD-së.

Haxhiu shtoi se Qendrat për Punë Sociale do të kenë mbështetjen e saj, por që shkeljet nuk do të tolerohen.

Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale ka thënë se qasja e Haxhiut mund të jetë precedent i rrezikshëm për të ardhmen e punës profesionale të punonjësve profesionale të shërbimeve sociale dhe të QPS-ve.

“Asociacioni shpreh shqetësimet e saj për deklaratat dhe presionin politik dhe ndërhyrjet nga Ministria e Drejtësisë në këtë rast, që mund të jete precedent i rrezikshëm për të ardhmen e punës profesionale të punonjësve profesional të shërbimeve sociale dhe të QPS-ve”- thuhet në reagim.

“Deklaratat publike të zonjës Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë ku janë përmendur me emër profesionistë të QPS-së ka pasuar me linçime, kërcënime dhe ofendime ndaj këtyre profesionistëve, për të cilat ne i pranojmë me shumë shqetësim për jetën dhe familjet e tyre. Prandaj i kërkojmë zonjës Haxhiu që deri sa Gjykatat të vërtetojnë shkeljet ligjore të ketë kujdes me deklarata publike sepse mund të rrezikojë jeton e personave në fjalë dhe për këtë mban vetë përgjegjësi”- thuhet më tej në reagim.

Tutje, në këtë reagim theksohet se Ministria e Drejtësisë duhet të kujdeset për përmbushjen e obligimeve të saj karshi përgjegjësive që ka e jo të merret e të atakoj individ e QPS-të në forme të tilla.

Asociacioni në këtë reagim potencuan edhe nevojat që kanë qendrat sociale dhe  hapat që duhet të merren nga Ministria e Drejtësisë për shërbime sociale.