Haxhiu: Personi që u caktua menaxher i rastit për viktimën 11 vjeçare, nuk ishte i licencuar Ministria e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se më 13 korrik të këtij viti përmes një shkrese zyrtare, i ka njoftuar personat përgjegjës që personi që është caktuar menaxher i rastit për viktimën 11 vjeçare, nuk ishte i licencuar nga ana e MD-së.

Në dokumentin e publikuar në Facebook nga ministrja, shkresa u është drejtuar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Më 13 korrik të këtij viti, përmes shkresës zyrtare, kam njoftuar personat përgjegjës që personi që është caktuar menaxher i rastit për viktimën 11 vjeçare, nuk ishte i licencuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”- shkruan ministrja.

Haxhiu thotë Qendrat për Punë Sociale do të kenë mbështetjen e saj, por që sipas sak, shkeljet nuk do të tolerohen.

“Vlerësoj trajtimin serioz të këtij rasti, nga ana e policisë dhe prokurorisë. Çdo zyrtar publik sikurse edhe ne, e kemi për obligim zbatimin e përgjegjësive sipas legjislacionit në fuqi dhe sidomos në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë të mitur. Qendrat për punë sociale do ta kenë mbështetjen tonë por assesi shkeljet nuk do t’i tolerojmë”- thekson ajo.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka njoftuar se ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat për të cilët janë lëshuar aktvendimet janë V. M. dhe V. M., të cilët dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, personat për të cilët është lëshuar aktvendimi dyshohen se në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.