Ilustrim: Naser Fejza
Arrestimi i pjesëtarit të FSK-së, reagon ministri Maqedonci
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka reaguar pas arrestimit të një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i dyshuar për përfshirjen në rastin e vrasjes së Liridona (Ademaj) Murselit.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Maqedonci ka shkruar se ndaj pjesëtarit të FSK-së, të dyshuar në rastin e vrasjes së Liridona Murselit do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.
“I tronditur kam përcjellur ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellur një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK’së në lidhje me rastin. Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK-së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt!!”- ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.
Pjesëtari i FSK-së me inicialet K. K., dyshohet se është i përfshirë në rasit e vrasjes së Liridona Murseli më 29 nëntor 2023 në Prishtinë. I arrestuar për këtë vrasja është edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, për të cilin dyshohet se ka porositur vrasjen.