Anëtari i Këshillit të LDK-së kërkon që kandidatët për kryetar t'i shpalosin platformat

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti ka kërkuar nga kandidatët për kryetar të kësaj partie që t’i shpalosin platformat e tyre për udhëheqjen e kësaj partie.

Sipas Hamitit, kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka pasur rezultatin më të dobët në histori të saj, madje duhet edhe të ofrojnë përgjigje se kush është shkaktar për këtë situatë.

“Çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte. Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik. Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?”, ka shkruar ndër të tjera ai në facebook.

Të dielën, LDK pritet ta zgjedh kryetarin e ri të kësaj partie.

Deri tek këto zgjedhje erdhi pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të partisë. Isa Mustafa dha dorëheqje pak ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të cilat LDK-në e nxorën të tretën me vetëm 110 mijë e 978 vota apo 12,64% nga totali.

Për udhëheqjen e kësaj partie, deri tani kanë shpallur kandidaturat, Anton Quni, Lumir Abidixhiku, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.

 

Postimi i plotë i Hamitit në facebook.

Le të shpalosen platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së

Kuvendi i LDK-së i të dielës, më 14 mars 2021, është tema kryesore në opinionin publik të Kosovës mbas zgjedhjeve të 14 shkurtit, të fitores së madhe të VV-së dhe të humbjes së madhe të LDK-së, por edhe të partive të tjera tradicionale, që fituesit mujsharë po i quajnë si në kor ‘regjimi i vjetër’, me përbuzje që dëftonte fraza ‘klasa e përmbysur’ në diskursin komunist shqiptar.

Anëtarë e simpatizantë të LDK-së, ish-anëtarë të saj, por edhe analistë të moçëm e rishtarë, shpërfaqin pëlqimet e mospëlqimet e veta, madje animet, që jo rrallë tingëllojnë si tifozeri për këtë apo atë pretendent apo kandidat, mbasi tashmë janë bërë publike katër kandidatura për kryetar të LDK-së, të gjithë anëtarë të Kryesisë së LDK-së aktualisht.

Deri të dielën anëtarësia e LDK-së, por edhe publiku i gjerë – sepse kjo çështje është me interes jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe për kulturën demokratike të Kosovës – duhet të ketë rastin të dëgjojë platformat e kandidatëve për kryetar të LDK-së.

Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte. Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik.  Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?

Çështjet me të cilat duhet të rroken kandidatët janë, ndër të tjera: në çfarë shtyllash programore, me çfarë strategjie, mbi cilat politika, do ta rikthejë LDK-ja besimin e humbur? Si do ta bëjë këtë?

Kandidatët duhet të bindin anëtarët e Kuvendit të LDK-së që votojnë të dielën, por edhe anëtarësinë e gjerë, se kanë platformë për këtë. Platformë e një partie politike është një kornizë e synimeve kryesore që përkrah një parti politike apo kandidat për të tërhequr publikun me qëllimin e fundmë që të sigurohen mbështetje dhe vota për tema apo çështje të ndërlikuara, që duan zgjidhje, të cilat s’janë të lehta. Populistët ofrojnë zgjidhje të lehta për probleme të ndërlikuara. Natyrisht, kjo është e pamundshme. Por, para se ta kuptojnë shumë njerëz, dëmi do të jetë bërë tashmë.

LDK-ja e Ibrahim Rugovës, lëvizja pavarësiste që ka drejtuar Presidenti historik, ka pasur trinomin “Liri, demokraci, pavarësi” në themele të programit të vet.

Edhe tash e tutje, në rrethana të reja, në dekadën e tretë të shekullit tonë, LDK-ja duhet të rimëkëmbet si parti antikomuniste, formacion politik që është i lidhur me trollin, me zakonet, me traditën shqiptare dhe me historinë e Kosovës; të punojë për demokraci, kundër kulturës së pushtetit absolut; për Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, të pacenuar në punë të territorit, si zgjidhje e përhershme.

Muhamet Hamiti është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ka qenë këshilltar dhe zëdhënës i Presidentit Ibrahim Rugova.