Rruga Prishtinë - Podujevë. Foto: KALLXO.com

Aliu për rrugën Prishtinë-Podujevë: Punimet janë intensifikuar, po bëjmë çmos të përfundohet sa më parë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka publikuar disa pamje nga punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Sipas Aliut, punimet po vijojnë teksa shton se po bëjnë çmos që ta përfundojnë sa më parë.

“Po vijojnë punimet për rrugën Prishtinë – Podujevë. Ky aks rrugor është vënë në rrugën e duhur me intensifikimin e punimeve në të gjitha llotet. Po bëjmë çmos që këtë rrugë ta përfundojmë sa më parë, rrugë kjo e rëndësishme jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytetin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve”- ka shkruar Aliu.

Në korrik të këtj viti, KALLXO.com ka publikuar hulumtimin në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë me titull “Dyshimet për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë”, se si Ministria e Infrastrukturës  ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë në tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri Hysen Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.

Ndërkaq në gusht, KALLXO.com ka raportuar se kompanitë  që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

Të dhënat e siguruara nga KPMM tregojnë se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.

KPMM ka bërë të ditur për KALLXO.com se kompanitë e gjobitura e që janë duke punuar rrugën Prishtinë – Podujevë janë ‘Pro&Co Group’, ‘2A Group’, ‘Bageri-1’, ‘Bageri’, ‘Kosova Aslfalt’ dhe ‘Beni-com’.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka pyetur gjatë një konference për media ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri tha se nuk e di që ekziston ndonjë kiter ligjor në procedurat e prokurimit, që ua ndalon kompanive fitimin e kontratës, nëse kanë qenë paraprakisht të gjobitura.

“Për këtë çështje do të interesohem, nuk e di që në prokurim kërkohet se a janë gjobit a jo. Nuk e di a ka ndonjë kriter ligjor që e përcakton a duhet ata mos me qenë të gjobitur. Ndoshta ekziston, ndoshta unë nuk i di mirë rregullat e prokurimit. Por nuk e di, nuk besoj që ka në rregullat e prokurimit që ata duhet të mos jenë të gjobitur. Ka është origjina e zhavorrit, duhet më u interesu” – deklaroi Aliu.

Ndër kompanitë e gjobitura edhe ato të shokut të Hysen Durmishit

Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kompanitë ‘Bageri-1’, ‘Bageri’ dhe ‘Kosova Asfalt’, që janë në pronësi të Bujar Shabanit dhe familjarëve të tij, shokut të zëvendësministrit Hysen Durmishi, ndër vite janë gjobitur gjithsej tri herë.

‘Bageri-1’ është gjobitur më datë 26 nëntor 2020 për ‘shfrytëzim ilegale të ranores’. Vlera e gjobës ka qenë 5 mijë e 866 euro.

Kompania ‘Bageri’ më datë 5 shtator 2014 ishte gjobitur për shfrytëzim ilegal të rërës dhe zhavorrit me shumën prej 10 mijë e 439 eurove.

Kurse kompania ‘Kosova Asfalt’ ishte gjobitur me 7 korrik 2016 për ‘bazë seperacioni – seperim’ me shumë prej 2 mijë e 500 eurove.

Dyshimet për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë

Kompanitë që po ndërtojnë rrugën Prishtinë – Podujevë me gjoba për nxjerrje ilegale të mineraleve