Rruga Prishtinë - Podujevë. Foto: KALLXO.com

Kompanitë që po ndërtojnë rrugën Prishtinë – Podujevë me gjoba për nxjerrje ilegale të mineraleve

Kompanitë që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

Të dhënat e siguruara nga KPMM tregojnë se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.

KPMM ka bërë të ditur për KALLXO.com se kompanitë e gjobitura e që janë duke punuar rrugën Prishtinë – Podujevë janë ‘Pro&Co Group’, ‘2A Group’, ‘Bageri-1’, ‘Bageri’, ‘Kosova Aslfalt’ dhe ‘Beni-com’.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka pyetur gjatë një konference për media ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri tha se nuk e di që ekziston ndonjë kiter ligjor në procedurat e prokurimit, që ua ndalon kompanive fitimin e kontratës, nëse kanë qenë paraprakisht të gjobitura.

“Për këtë çështje do të interesohem, nuk e di që në prokurim kërkohet se a janë gjobit a jo. Nuk e di a ka ndonjë kriter ligjor që e përcakton a duhet ata mos me qenë të gjobitur. Ndoshta ekziston, ndoshta unë nuk i di mirë rregullat e prokurimit. Por nuk e di, nuk besoj që ka në rregullat e prokurimit që ata duhet të mos jenë të gjobitur. Ka është origjina e zhavorrit, duhet më u interesu” – deklaroi Aliu.

Ndër kompanitë e gjobitura edhe ato të shokut të Hysen Durmishit

Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kompanitë ‘Bageri-1’, ‘Bageri’ dhe ‘Kosova Asfalt’, që janë në pronësi të Bujar Shabanit dhe familjarëve të tij, shokut të zëvendësministrit Hysen Durmishi, ndër vite janë gjobitur gjithsej tri herë.

‘Bageri-1’ është gjobitur më datë 26 nëntor 2020 për ‘shfrytëzim ilegale të ranores’. Vlera e gjobës ka qenë 5 mijë e 866 euro.

Kompania ‘Bageri’ më datë 5 shtator 2014 ishte gjobitur për shfrytëzim ilegal të rërës dhe zhavorrit me shumën prej 10 mijë e 439 eurove.

Kurse kompania ‘Kosova Asfalt’ ishte gjobitur me 7 korrik 2016 për ‘bazë seperacioni – seperim’ me shumë prej 2 mijë e 500 eurove.

KALLXO.com ka kontaktuar kompaninë ‘Bageri’ përmes emailit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit. Po ashtu, interesimit të KALLXO.com nuk i është përgjigjur as djali i pronarit, Valdrin Shabani.

Kompania tjetër që ishte gjobitur është edhe ‘Pro&Co Group’ më 24 shtator 2020 me shumën prej 6 mijë e 629 euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga kjo kompani kanë thënë se gjoba është paguar, edhe pse ishte kundërshtuar, me pretendimin se makineritë nuk kanë qenë të tyre, por të një kompanie tjetër.

“E kemi kundërshtu, edhe në raportin e inspektorit edhe në fletëdënim shkruajnë tabelat e makinerisë të një kompanie tjetër. Por inspektori me qëllime personale e ka vendosur gjobën për kombaninë tonë, gjobën e kemi kundërshtuar disa herë dhe nuk kemi pranuar aprovim dhe jemi detyruar të paguamë gjobën, vetëm për të mos prishur imazhin e kompanisë nga persona të caktuar” – kanë thënë nga kjo kompani.

Ndërsa aktualisht kompania ka bërë të ditur se për rrugën Prishtinë – Podujevë materialin janë duke e marrë nga guroret të cilat janë licencuar nga KPMM dhe janë pranuar nga laboratori i ministrisë.

Edhe kompania ‘2A Group’ ishte gjobitur nga KPMM-ja. Shuma e gjobës ishte 15 mijë e 573 euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kompania ka thënë se gjoba ka qenë mandatore dhe administrative dhe si e tillë, është paguar.

“Ne si kompani asnjëherë që nga fillimi i veprimtarisë e deri më sot nuk kemi pasur ndonjë ndalesë ose ndonjë çështje penale në ngarkim, e cila e ndalon veprimtarinë tonë. Kompania jonë është kompani që vepron në territorin e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht i nënshtrohet të gjitha taksave dhe detyrimeve ligjore që ka shteti ynë, andaj për shkak të veprimtarisë që ne kemi, shpeshherë gjobitemi edhe nga organe të ndryshme shtetërore për veprimtarinë tonë, por gjithmonë duhet të theksojmë se gjobat janë mandatore dhe administrative, e të cilat gjithmonë paguar konform afateve” – thuhet në përgjigjen e kompanisë për KALLXO.com.

Kompania Beni-Com kishte pasur dy gjoba të shqiptuara nga KPMM. Një në vitin 2012 në shumën prej 2 mijë e 413 euro dhe tjetra në vitin 2015 në vlerë prej 6 mijë e 852 euro.

Ismet Kunushevci, pronar i kompanisë, për KALLXO.com ka thënë se aktualisht për punimet në Prishtinë – Podujevë materialin e nevojshëm është duke e marrë tek gurthyesi që e ka kompania, në Vushtrri.

Ndërsa për gjobat e shqiptuara ka thënë se janë paguar me kohë, megjithëse sipas tij, kanë qenë të padrejta.

“Ne materialin aktualisht jemi duke e marrë nga gurëthyesi që e kemi në Vushtrri. Janë certifikatat. Gjobat janë të paguara moti, qysh atëherë. Gjobat janë shqiptu padrejtë, veç që e sheh një bager aty, tani shtyhem në gjykatë. Të dyja gjobat janë paguar me kohë. Pa pikë faji ka qenë” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka bërë të ditur se nga 11 kompani që janë duke kryer punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë, 5 prej tyre nuk kanë gjoba të shqiptuara më herët, ndërsa 6 kanë gjoba.

Në korrik të këtij viti, KALLXO.com ka publikuar hulumtimin se si Ministria e Infrastrukturës  ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë në tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri Hysen Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.

Dyshimet për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë