Aktakuza për mashtrim me prokurim publik, vëllezërit Sallahu nuk e pranojnë fajësinë

Vëllezërit Lulzim e Naim Sallahu janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për tu përballur me akuzat për keqpërdorim me prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve në lidhje me projektin e rikonstruimit të segmentit të rrugës rajonale Prizren – Prevallë.

Në këtë rast po akuzohet edhe kompania “Sa Sallahu” si person juridik për të cilën person përgjegjës është i akuzuari Lulzim Sallahu.

Kompania së bashku me aksionarin e saj, Luzim Sallahun, po akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, ndërsa Naim Sallahu po akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

Në seancën e sotme të akuzuarit njëzëri nuk e pranuan fajësinë lidhur me këto akuza.

Seanca që u mbajt sot kishte dështuar të mbahej në dhjetor të vitit që shkoi, për shkak se Lulzim Sallahut i duheshin dy avokatë, një për vete e një për të përfaqësuar kompaninë “Sa Sallahu”.

Rasti po gjykohet nga gjyqtarja e departamentit special Valbona Musliu Selimaj.

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën lidhur me këtë rast me 3 nëntor të viti të shkuar. Aktakuzë kjo e përpiluar nga Prokurori Special Dren Paca e që i njëjti ishte prezent edhe në seancën e sotme.

Sipas kësaj aktakuze, Lulzim Sallahu në cilësinë e drejtorit të “Sa Sallahu” gjatë aplikimit në procedurat e prokurimit publik ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme me qëllim që kompania e tij të shpallej fituese e një projekti.

Projekti në fjalë ka qenë “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren – Prevallë” i publikuar nga Autoriteti Kontraktues – Ministria e Infrastrukturës në vitin 2019.

Qëllimi i tij, sipas aktakuzës, ka qenë mashtrimi dhe ndikimi në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës ndërsa dokumentet e paraqitura kanë qenë konkretisht CV – të dhe referencat në emër të personave N.M, I.F, B.K dhe L.G si dëshmi se këta persona ishin të angazhuar si inxhinierë në kompaninë në fjalë.

Referencat përmbanin titujt e projekteve si “Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrje Klinë – Pejë”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segmenti: Arllat-Kijevë (Gjurgjicë – Llozicë)”.

Sipas aktakuzës këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të njëjtit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë së tij dhe të njëjtit posedonin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.

Për këto veprime të pretenduara Prokuroria Speciale e ka ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik, vepra të cilat bien mbi barren e Lulzim Sallahut dhe kompanisë së tij “Sa Sallahu”.

Ndërkaq, Naim Sallahu akuzohet se me qëllim që të i ndihmonte vëllait të tij Lulzim Sallahut për plotësimin e kushteve të tenderit përkatës, kishte përpiluar dhe nënshkruar referencat e lartcekura me përmbajtje të rreme.

Kështu, Prokuroria Speciale të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në mesin e provave përmes të cilave Prokuroria do të tentojë të provojë pretendimet e aktakuzës janë diplomat universitare, CV – të dhe referencat e personave N.M, I,F, B.K dhe L.G, por edhe të personave të tjerë.