Prokuroria Speciale

Aktakuzë ndaj kompanisë “Sa Sallahu” dhe dy të tjerëve për mashtrim me prokurim publik

Prokuroria Speciale përmes një komunika ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Sallhut dhe Lulzim Sallahut si dhe ndaj personit juridik “Sa. Sallahu SH.P.K”.

KALLXO.com ka mësuar se nuk bëhet fjalë për mashtrim me prokurim për “Rrugën A”.

Naim Sallhu akuzohet për falsifikim me dokumentet kurse Lulzim Sallahu i cili në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve figuron të jetë aksionar i kompanisë të akuzuar, po akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Kurse edhe kompania “Sa Sallahu SH.P.K” është e akuzuar si person juridik, për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të akuzuarit L. S., është ngritur për veprat penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri ‘’SA. S., Sh.p.k’’ (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), në cilësinë e personit juridik, me pronar dhe aksionar 100 % L. S.,  akuzohet për veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 paragrafi 1, lidhur me nenin 37 të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri i dytë N. S. akuzohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 390 paragrafi 1 të KRPK-së” –  Thuhet në njoftimin e prokurorisë speciale.

Kallxo.com ka provuar të marrë një përgjigje nga pala e akuzuar, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.