Akuza për mashtrim në tenderë - Përfaqësuesit të 'Sa-Sallahu'-t i duhen dy avokatë, si person juridik edhe fizik

Seanca e së martës ndaj L. S. dhe N. S. ka dështuar të mbahet në gjykatën e Prishtinës meqë L. S. duhet të ketë avokat edhe si përfaqësues i personit juridik për kompaninë “Sa Sallahu”, e cila po akuzohet për mashtrim dhe keqpërdorim në prokurim publik.

Kurse N. S. po akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

Ky rast është në fazën fillestare gjyqësore dhe kundërshtimi i aktakuzës bëhet në fazën e kundërshimit brenda afatit ligjor.

Prokuroria Speciale më 3 nëntor të këtij viti njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre personave, duke akuzuar se më 5 shtator të vitit 2019, L. S. në cilësinë e personit përgjegjës dhe drejtorit për operatorin ekonomik “Sa Sallahu – SH.P.K.”, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme me rastin e aplikimit në procedurat e prokurimit publik për projektin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R155, Segmenti Prizren – Prevallë”.

Pretendimet e Prokurorisë Speciale

Sipas dosjes së prokurorisë këto veprime kanë ndodhur me vetëdije dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, pasi kompania  “Sa Sallahu Sh.P.K.”, të shpallet fituese e kontratës për projektin në fjalë.

Si dokumente me përmbajtje të rreme, prokuroria thotë se ishin paraqitur CV-të dhe referenca në emër të N. M., I. F., B. K., dhe L. G.

Sipas dosjes së njëjtë, referencat përmbanin titujt e projekteve si “Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrje Klinë – Pejë”, “ “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segmenti: Arllat-Kijevë (Gjurgjicë – Llozicë)”. “Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti hyrja Klinë – Pejë, Lot 5 (Veternik), Lot 1”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës, (Veternik), Lot 1”, “Zgjerimi i rrugës nacionale N9 – Segment: Arllat – Kijevë, Sektori D Lot 1 (Gjurgjicë – Llozicë) nga km 0+000.00-3+300.41”, “Rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës Kaçanik – Gajre – Ivajë – Strazhë”, “Ndërtimi i autostradës Morinë –Merdarë. Shtruarja e trasesë me SUBBASE dhe CTB”, “Rregullimi i Ujësjellësit në fshatin Sevce”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Brod – Coklare, faza e tretë”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Firaje, lagjja Manaj, aksi 1, 2 dhe 3”, “Ndërtimi dhe Rindërtimi i rrugës në Kazermën e Prishtinës”, “Asfaltimi i rrugës në fshatin Firaje”, “Ndërtimi i ministacionit në fshatin Sevce”, “Ndërtimi i murit mbrojtës në segmentin e rrugës Rezall e re – Tushile L=630M” me numër të kontratës 34,5”, “Rregullimi i rrugës në fshatin Verbeshticë”.

Sipas aktakuzës këto referenca janë paraqitur si dëshmi se kinse të njëjtit ishin pjesë e stafit, respektivisht të angazhuar si inxhinierë të kompanisë së tij dhe të njëjtit posedonin përvojën e nevojshme të punës që kërkohej në njoftimin për kontratë.

Rasti do të vazhdojë në janar të vitit 2024, me gjyqtare Valbonë Selimaj.